Barcelona pritet të zyrtarizojë në orët në vijim afrimin e Marcus Rashford, i cili do të jetë pjesë e skuadrës katalanase për sezonin 2025/26. Sulmuesi anglez do të huazohet me të drejtë blerjeje, duke i shtuar cilësi repartit ofensiv të Hansi Flick. Sipas Gary Lineker, një ish-sulmues legjendar i Barçës dhe i kombëtares angleze, 27-vjeçari pritet të ketë ndikim të madh te katalanasit.
“Ka kohë që Barça nuk ka pasur një anglez në ekipin e saj dhe kjo është një goditje e mirë. Rashford është një lojtar i madh. Ka pasur probleme te Manchester United, nuk ka luajtur shumë, por talentin e ka. Problemi është Manchester United, shumë lojtarë që janë larguar prej andej kanë shkëlqyer diku tjetër”.
Ai e përshkroi Rashfordin si një lojtar shumë të shpejtë, të rrezikshëm dhe njeri të mirë, duke theksuar gjithashtu se mes tyre ka miqësi të ngushtë. Lineker, që veshi fanellën blaugrana në vitet ’80, është i bindur se Rashford do të jetë pjesë thelbësore e projektit të Flick:
“Shpresoj të tregojë nivelin e tij të vërtetë. Sot ka shumë ndeshje dhe duhen më shumë titullarë. Marcus ka cilësi të jashtëzakonshme. Mendoj se do të jetë një afrim fantastik për Barcelonën. Natyrisht, kurrë nuk e di si shkojnë gjërat, por jam shumë i lumtur që do ta shoh në Barcelonë. Është mik i mirë imi”.
Në lidhje me pozicionin në fushë, Lineker theksoi polivalencën e Rashford: “Pozicioni i tij më i mirë është në krahun e majtë, por mund të luajë edhe si qendërsulmues. Kur ka topin në këmbë është shumë i shpejtë dhe i paparashikueshëm. Ana e majtë është vendi i duhur për të. Stili i lojës që kërkon Flick i përshtatet shumë”.
Në përfundim, Lineker nuk kurseu superlativat për Lamine Yamal, yllin e ri të Barcelonës: “Lamine është lojtari i madh i radhës pas Maradonës dhe Messit. Ajo që bën në këtë moshë është diçka e jashtëzakonshme. Mund të bëhet një nga më të mëdhenjtë, por ka nevojë për pak fat. Luajti në mënyrë të mrekullueshme. A do ia jepja ‘Topin e Artë’? Po, pa dyshim”.
The post Lineker flet me siguri: Rashford është lojtar i madh. Problemi është te Manchester United, jo tek ai appeared first on Telesport.