Lindja e komplikuar: Foshnja vdes në Pejë, nëna në Prishtinë
Një nënë dhe foshnja e saj e sapolindur nuk kanë arritur të mbijetojnë nga një lindje, të cilën mjekët po e cilësojnë si të komplikuar, të realizuar mbrëmë në Spitalin Rajonal të Pejës.
Lindja ishte bërë në spitalin e Pejës, por pas lindjes, ajo ishte transferuar në Qendrën Klinike Universitare (QKUK) në Prishtinë për trajtim të mëtejmë. Megjithatë, ajo kishte vdekur pak minuta pasi ishte sjellë në Prishtinë.
Drejtori i Spitalit Rajonal të Pejës, Skender Dreshaj, konfirmoi për KALLXO.com se edhe foshnja ka vdekur gjatë lindjes.
“Spitali ka qenë i pajisur me pajisjet e domosdoshme, personeli e ka trajtuar në mënyrë korrekte, komplikimi ka qenë shumë i rëndë. Ka qenë çarje e mitrës që quhet memece do të thotë pa dhimbje nga momenti i çarjes. Ka pasur gjakderdhje, fëmija ka lindur i vdekur. Është rast jashtëzakonisht i rëndë i komplikuar”, tha ai.
Dreshaj tha se nëna ishte transferuar në Prishtinë pasi që në Pejë janë shtjerrë mundësitë për trajtim të saj.