Linçohet nga propaganda e VV-së, reagon Baraliu: Nëse ia doni të mirën vendit, votojeni PDK-në

Analisti Bleron Baraliu i ka quajtur “të pa cipë e të pa nder” llogaritë e afërta me Vetëvendosjen, të cilat e kanë linçuar atë për një deklaratë lidhur me zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit.

Një llogari në rrjetin social Faceboom me emërtimin “Kosova me Albin Kurtin” publikoi të dielën një shkrim linçues ndaj Baraliut. Në këtë shkrim, Baraliu cilësohej si “eksponent i PDK-së”. Cilësohej si njeri i afërt me Ferat Shalën, deputetin e PDK-së.

Sipas Baraliut, ky shkrim paraqet “propagandën gebellsiane” të Vetëvendosjes ndaj kundërshtarëve të vet.

“O miq të dashur, – a e shihni sa të pa cipë e të pa nder janë e çfarë propagande gebellsiane të voldemortit të Kosovës ushtrojnë. Nëse votoni prapanicën e juaj, gjithsesi votojini prapë nëse kaq keni sedër”, shkroi Baraliu në një postim në Facebook të dielën.

Ai bëri sërish thirrje që qytetarët të votojnë PDK-në në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

“Por nëse ja doni të mirën vendit (përfshirë edhe vet partinë e kuqe) atëherë votojeni PDKnë. Pa një nokaut hundëve, Albinua — siç ka thënë ma i madhi Adem Demaçi — ka hypë në helikopter e ne po ju dukemi milingona! Sa të mjerë e pa shpirt”, tha Baraliu.

Baraliu tha javën e shkuar se në situatën aktuale politike, vota për PDK-në është vendimi më i duhur në zgjedhjet e ardhshme.