Limaj ‘ripagëzohet’ si Komandant Çeliku nga Kurti, VV e ruan Nismën nga çdo kritikë: Si po u ecën ‘simotrave’?

I kemi votat për qeveri në një kuvend që nuk e kemi.

Kështu përkthehet krejt tregimi i Vetëvendosjes tash e një muaj e gjysmë në njëzet e një seanca të dështuara me emrin e Albulena Haxhiut. Dështimi përmes këtij emri është shndërruar edhe në frerin e Vetëvendosjes për t’u mos u prodhuar titulli: Dështon zgjedhja e Albin Kurtit kryeministër. Një titull i tillë do të mund të prodhohej për maksimum 15 ditë kalendar kushtetues. Por, dështimin e ka marrë përsipër mbi emrin e vet: Albulena Haxhiu; në një situatë procedurale e cila s’ka përkufizim kohor sa mund të mçojë.

Kundërthënia e mësipërme – I kemi votat për qeveri në një kuvend që nuk e kemi – megjithatë kalon përmes një emri dhe tri votave: Fatmir Limajt të Nismas Socialdemokrate. Ky i fundit e gjeti emrin e vet të rehabilituar te elektorati i Vetëvendosjes me ripagëzim nga vetë Albin Kurti: “…Komandant Çeliku…Nisma parti simotër e Vetëvendosjes”.

Tashmë ajo çka dihej – e pathënë zyrtarisht – se Kurti dhe Limaj kanë farkëtuar marrëveshje mes vete u tha edhe në televizion publik nga Kryetari i Vetëvendosjes, në një intervistë tejet miqësore dhe simpatetizuese ndaj tij në RTK. Aty Kurti brendarreshtash ftoi elektoratin e vet që emrin e Limajt ta shohin edhe si historik për nga kontributi ushtarak por edhe partiak dhe ideologjik “simotër” të Vetëvendosjes.

Akuzo të gjithë, kurse Limajn…

Albin Kurti pretendon t’i ketë 57 vota për Abulena Haxhiun (në seanca kanë rënë në 53) dhe 3 të Nismës, çka do t’i përmbledheshin në 60. Por, Nisma, gjer më sot ka votuar njëjtë si të gjitha partitë ish-opozitare, si për emrin e Haxhiut në votim të hapur si në të mbyllur. Megjithatë, Vetëvendosja e ruan nga çfarëdo kritike. Fton gjithkënd “të reflektojnë” dhe akuzojnë pafund për bllokadë, por jo edhe jo Limajn, votat e të cilit do ta çonin në 60 – ndërsa ka deputetë që janë lajmëruar se po qe se emri i Haxhiut arrin në 60 dhe varet vetëm në një votë, atëherë do t’ia kalonin.

Nga Vetëvendosje – Faton Peci – kanë bërë me dije se Limaj kur të vjen puna te votimi i qeverisë do të votojë për qeverinë, por se në rrafshin aktual Limaj “ka ambicie” për t’u bërë vetë Kryetar Kuvendi. Ky i fundit ka operaruar përmes heshtjes dhe evitimit të ndonjë përgjigje konkrete, duke folur krejt me përgjithësime si: interesi nacional kështu, interesi nacional ashtu. Mbetet këtë pjesë të rrëfimit ta shpjegojë Limaj në intervistën e tij të paralajmëruar të ardhshme pas gati katër muajsh në intervistën e fundit në “Debat Plus” ku kishte lënë të kuptohet se ulet edhe me Kurtin për koalicion: “…kush t’më fton, unë shkoj ulem, për tema nacionale”, pati thënë ikonikisht Limaj.

Limaj në një konferencë për media ditë më parë ku njoftoi për disa aderime në partinë e vet tha se “shumë shpejt bëhet shumica parlamentare”.