Kryetari i NISMËS Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka folur për disa nga hatër mbetjet mes NISMA dhe AAK-së që kanë ndodhur deri në dorëheqjen e Haradinajt.
Limaj, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se dorëheqja e Haradinajt ka qenë e panevojshme dhe dallon nga dorëheqja e vitit 2004.
“Në vitin 2004 dorëheqja ka qenë e obligueshme pasi ka pasur aktakuzë. Edhe nëse nuk do të jepte dorëheqje do ta merrnin”.
Limaj ka thënë se NISMA kishte investuar shumë për t’u bërë Haradinaj kryeministër.
“Ne kemi rrezikuar edhe partinë vetëm për ta bërë Haradinajn kryeministër dhe jemi future në PAN”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Ai thotë se NISMA do ta kishte rrëzuar qeverinë Haradinaj vetëm nëse do të kishte ndonjë skandal të madh, ndryshe as që bëhej fjalë.
Kryetari i NISMËS Socialdemokrate thotë se çarja më serioze me AAK-në ka ndodhur kur këshilltarët e Haradinajt janë takuar në Berlin me palën serbe, pa njoftuar partinë e tij.
“Edhe me rastin e dorëheqjes ka mundur të ndodhë ndryshe. Ai ka mundur të na njoftojë për aktin, sepse çështja e dorëheqjes është personale dhe nuk ka pasur nevojë për të kërkuar leje”.
Limaj thotë se nëse do të ishin njoftuar partnerët për dorëheqjen e Haradinajt, vendi do të shkonte në zgjedhje shumë shpejt dhe askush nuk do të kishte pranuar zëvendësimin e Kryeministrit.
Zëvendëskryeministri në detyrë, ka shprehur pakënaqësitë e tij ndaj AAK-së edhe për “luftën” jo korrekte që kjo e fundit e ka bërë ndaj partnerit të koalicionit.
Limaj ka thënë se PSD-ja prej një viti ka mbajtur gjallë qeverinë, dhe sipas tij Haradinaj së paku është dashur ta njoftojë këtë parti.
“Për të qenë politikisht korrekt Haradinaj ndaj PSD-së, ka pasur dyfish obligim për ta njoftuar për dorëheqjen.