Limaj paralajmëron zhvillime: Nisma s’pranon lojëra politike me Kuvendin

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se situata politike në vend ka pësuar zhvillime të reja që nga dita e djeshme, duke lënë të kuptohet se mund të ketë lëvizje drejt një marrëveshjeje për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

“Besoj që ka zhvillime të reja nga dje dhe kjo situatë ka shkuar aq gjatë, saqë është dashur të përfshihet edhe Presidentja. Mendoj se kërkesa e saj drejtuar Gjykatës Kushtetuese ndihmon jo vetëm në procedimin e konstituimit të Kuvendit, por edhe për të ardhmen”, ka deklaruar Limaj para gazetarëve.

Sipas tij, rregullorja aktuale lë hapësirë për ndërhyrje nga ana e Presidentes, gjë që mund të ndihmojë në qartësimin e situatës dhe në lehtësimin e procesit.

“Po t’i japim mundësi partive politike në këtë kohë pezullimi të përkohshëm që ka parashikuar Presidentja, mund të arrihet një shumicë dhe ndoshta një marrëveshje”, ka shtuar ai.

Limaj theksoi se Nisma është e interesuar për një zgjidhje të plotë politike dhe jo për vendime të përkohshme që mund të çojnë në zgjedhje të reja.

“Nuk besojmë në zgjedhje parciale. Ne duam një shumicë qeverisëse që konstituon Kuvendin dhe formon qeverinë. Nisma nuk do të jetë kontribuuese në një zgjidhje gjysmake që më pas do të shkaktojë zgjedhje të reja”, përfundoi ai.

Deklaratat e Limajt vijnë në një moment kritik për skenën politike në Kosovë, pas dështimit të 51-të me radhë për konstituimin e Kuvendit.

The post Limaj paralajmëron zhvillime: Nisma s’pranon lojëra politike me Kuvendin appeared first on Kosovapost.net.