Limaj: Nuk e di pse nuk ndodhi koalicioni Nisma-PDK

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka dhënë detaje rreth bisedimeve me ushtruesin e detyrës së PDK-së, Enver Hoxhajt për koalicionin e mundshëm që në fund nuk u realizua.

Limaj tha se së pari ka qenë kërkesë e Hashim Thaçit për t’u ofruar.

Ai ka thënë se me Enver Hoxhajn kishte dy takime. Sipas tij, në takimin e parë Hoxhaj i ka thënë se kanë nevojë për një koalicion SDCU-CSU, i cili ka zgjatur qe 70 vite.

Kurse, në takimin e dytë Limaj tha se Hoxhaj i ka thënë se duhet të konsultohet me strukturat e partisë.

“Për besë nuk e di pse nuk ndodhi koalicioni. Iu kemi ofruar PDK-së për shkak të një goditje kombëtare por ofertë nuk ka pas”, tha ai.

Limaj shtoi se Hoxhaj pastaj nëpërmjet telefonit i ka thënë se kryesia e PDK-së ka marrë vendim që të shkoj e vetme në zgjedhje.