Limaj: Nisma nuk do ta votojë Konjufcën

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj në ”Click” të RTV21 tha se për partinë e tij çështja e një mandatarit nga LVV-ja është e mbyllur dhe qëndrimet janë bërë të qarta në takim me Presidenten.

Limaj theksoi se, duke pasur parasysh përvojën e tij politike, pozicionet e partive janë më të qarta se kurrë, dhe në situatën aktuale nuk ka mundësi për krijimin e një shumice parlamentare.

Limaj nënvizoi se Presidentja Osmani duhet të ushtrojë detyrën kushtetuese dhe të shpallë zgjedhjet e reja.

“Besoj se qëndrimet tona i kemi bërë publike aty ku duhet – te Presidentja. Pas dështimit të themelimit të qeverisë të dielën e fundit, kemi përgjigjur ftesës së saj dhe i kemi dorëzuar të gjitha njoftimet tona publike. Duke marrë parasysh përvojën time politike, këtë herë qëndrimet kanë qenë më të qarta se kurrë më parë, po ashtu edhe pozicionet e partive politike. Në takimin me Presidenten kemi deklaruar se ajo duhet ta ushtrojë detyrën e vet kushtetuese dhe t’i shpallë zgjedhjet, përjashtim bën vetëm partia e parë, e cila ka kërkuar kohë, por nuk i ka pasur votat as në fillim. Është e pamundur që në situatën aktuale të krijohet një shumicë parlamentare,” tha Limaj.