Limaj flet për negociatat me Abdixhikun, zbulon arsyet pse nuk pati marrëveshje

Kreu i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka dhënë arsyet e mosformimit të një koalicioni parazgjedhor me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Limaj ka theksuar se elektoratet e ndryshme të të dy subjekteve politike dhe afati i shkurtër deri në zgjedhje kanë qenë dy faktorë kryesorë që penguan bashkëpunimin mes NISMA-s dhe LDK-së.

“Kemi pasur diskutime dhe komunikime të vazhdueshme me Abdixhikun, e kam vlerësuar mënyrën e të menduarit të tij dhe më bën përshtypje mënyra e tij të menduarit. Nisma dhe LDK ka dy elektorate të ndryshme, është kohë e ndryshme, dhe nuk mund të thyejmë barriera të së kaluarës, tani për tani është e pamjaftueshme.

Kam qenë i interesuar të jem shumë i ndershëm me ta, kam pasur dyshime se nuk do të mund të jap kontribut në atë koalicion për shkak të lëvizjes së elektoratit. Do të gjejmë rrugë të bashkëpunimit paszgjedhor, i vlerësoj ato takime dhe angazhimet e Abbdixhikut”, ka thënë Limaj në Debat Plus.