Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i është përgjigjur nga Malisheva, kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, i cili dje, nga e njëjta sallë, kishte bërë thirrje që të mos votohet Nisma.
Ai ka thënë se Enver Hoxhaj është mësuar t’i këtë gjithmonë të gatshme gjërat dhe partinë e ka marrë të gatshme. Keni me pa ku ka me dërgu, sepse ku ka shkuar i ka zvogëluar.
Kur vijnë në shtëpi dhe na çojnë farë mesazhi, duhet me ua kthy selamin.
“Unë gjithmonë e kam nis tu e maru e kam zhvillu dhe e kam rritë. Dallim tjetër është se ai kurrë një beteje s’ka zhvillu as politike e për këtë tjetrën, s’po flas për beteja tjera, ju e dini më mirë”, ka thënë Limaj në një takim me të rinjtë e Malishevës.
Më tej, ai ka thënë se Enver Hoxhaj vetëm në filmat e Rambos ka pa çka është shpirti luftarak.
“Enveri nuk e di çka është përballja me jetën dhe vdekjen, atë e ka pa në TV. I dashur Enver, krejt jetën time që unë e kam rritë në këto troje është përpjekje e sakrificë, dallimi jem është se kam qenë në mesin e popullit e ju jeni kanë spektator i asaj që ka ndodhë në Kosovë”, ka shtuar Limaj.
Lideri i Nismës ka thënë se atë s’ka mund ta ndalë Serbia e po e ndal Enver Hoxhaj.
“Edhe unë kam një apel për të gjitha familjet dhe çdo bashkëluftëtar, mos e votoni Enver Hoxhajn, edhe po tregoj pse në kohën kur unë se bashku më bashkëluftëtarë të mi dhe të tjerë luftonim për lirinë e Kosovës, Enver Hoxhaj nga Vjena thoshte se do të kërkojë azil në Beograd, nëse UÇK-ja e fiton luftën. Prandaj i ftoj të gjithë bashkëluftëtarët e mi që të mos e votojnë dikë i cili më dëshirë do të kërkonte azil në Beograd se sa të shihte fitoren e UÇK-së”, ka shtuar Limaj.