“Ligjvënia e përshpejtuar veç në rrethana të jashtëzakonshme”, si e arsyetoi Kushtetuesja rrëzimin e ligjeve të miratuara nga VV

Gjykata Kushtetuese sot hodhi poshtë 12 lidhje të miratuara në seancën e 5 dhjetorit 2024 nga Kuvendi i Kosovës. Gjykata e rrëzoi po ashtu edhe ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Ndërkaq, tri ligje mbetën në fuqi.

Gjykata në aktgjykimin e publikuar sot tha se ligjet janë jokushtetuese për shkak të shkeljeve procedurale gjatë procesit ligjbërës.

Kryesisht, shkeljet ndërlidhen me nenet 74 (Ushtrimi i Funksionit), 76 (Rregullorja e Punës) dhe 77 (Komisionet) të Kushtetutës. Për 12 ligje, miratimi në lexim të parë dhe të dytë brenda të njëjtës ditë pa shqyrtim të duhur nga komisionet parlamentarë cenoi parimet e ndarjes së pushteteve dhe sigurisë juridike, të garantuara nga nenet 4 dhe 7 të Kushtetutës.

Gjykata tha se ligjvënia e përshpejtuar lejohet në rrethana të jashtëzakonshme, ajo s’duhet të ndodhë në ato rutinore.

“Përderisa ligjvënia e përshpejtuar ndonjëherë mund të jetë e nevojshme, procedura të tilla urgjente duhet të zbatohen vetëm në rrethana të jashtëzakonshme dhe kurrë në baza rutinore ose automatikisht. Ato duhet të kufizohen në raste të vërteta urgjence, kur rrethanat nuk lejojnë zhvillimin e zakonshëm të procedurave, si brenda qeverisë edhe veçanërisht para parlamentit. Në asnjë rrethanë nuk duhet të zbatohen procedura të përshpejtuara thjesht për të arritur shpejt objektivat e politikave, ose për të anashkaluar rregullat mbi konsultimin publik ose vlerësimet e ndikimit, duke shmangur mekanizmat përkatës të verifikimit, konsultimit dhe mbikëqyrjes”, thuhet në aktgjykim.

Kushtetuesja tha se një keqpërdorim i tillë ndikon në cilësinë e legjislacionit, dobëson kontrollet e jashtme mbi qeverinë dhe shpërfill parimin e ndarjes së pushteteve.

“Për më tepër, përdorimi i shpeshtë i procedurave të përshpejtuara për miratimin e legjislacionit ndikon në sigurinë ligjore; edhe për ekspertët ligjorë, do të jetë e vështirë të kuptohet gjendja aktuale”.

Gjykata nënvizon se procedura e miratimit të ligjeve në Kuvend duhet të garantojë proces transparent, të përgjegjshëm dhe demokratik dhe kjo procedurë duhet të jetë gjithmonë në funksion të sigurisë juridike si një nga parimet parësore të sundimit të ligjit.

“Përveç Kushtetutës dhe detyrimit për të ushtruar pushtetin legjislativ në pajtim me Kushtetutën, Kuvendi nuk i nënshtrohet asnjë pushteti tjetër, ndërsa deputetët si përfaqësues të popullit nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues (shih, ndër tjerash nenin 70 [Mandati i Deputetëve] të Kushtetutës). Thënë këtë, neni 74 [Ushtrimi i Funksionit] i Kushtetutës, përfaqëson një garanci themelore për integritetin e funksionit përfaqësues të deputetëve, duke i lidhur ata drejtpërdrejt me rregullat kushtetuese, ligjore dhe procedurale të Kuvendit”.

Gjykata gjithashtu analizoi se shkeljet procedurale nuk ishin thjesht formale, por preknin esencën e demokracisë parlamentare./Express/