Analisti kosovar, Agon Maliqi, ka ndarë sot disa prej pjesëve kryesore të ligjit të ri që është miratuar nga Kongresi dhe Senati amerikan, e në të cilin është përfshirë edhe rajoni i Ballkanit Perëndimor, konkretisht Kosova dhe Serbia.
Sipas këtij ligji 3 mijë faqesh që është nënshkruar nga presidenti amerikan Donald Trump, politika amerikane udhëzohet që për Kosovën dhe Serbinë ta ketë si bazë Marrëveshjen e Ohrit, të sanksionojë ata që destabilizojnë rajonin duke sabotuar marrëveshjet e paqes, të përkrah një marrëveshje të bazuar në njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë dhe të kundërshtojë ndryshimin e kufijve në rajon.
Postimi i plotë i Maliqit:
Disa zhvillime të reja nga SHBA
– Kongresi dhe Senati e kaluan ligjin për politikën e mbrojtjes i cili brenda rreth 3000 faqeve përfshin edhe nene të rëndësishme për Ballkanin dhe për Kosovën. Ligji (të cilin Trump e nënshkroi) në përgjithësi bie ndesh me elemente të Strategjisë së Sigurisë nga Shtëpia e Bardhë, veçanërisht duke ia vendosur Trump-it disa pengesa për tërheqjen e aseteve ushtatarke të SHBA nga Evropa.
– Specifikisht për Ballkanin, ligji e udhëzon politikën amerikane që ta ketë si bazë marrëveshjen e Ohrit për normalizimin në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe detyrimet që dalin prej saj; t’i sanksionojë ata që e destabilizojnë Ballkanin duke i sabotuar marrëveshjet e paqes, si dhe; pëcakton se SHBA-të e shohin zgjidhjen përfundimtare te njohja reciproke, duke e përjashtuar politikën e ndryshimit të kufijve në rajon.
– Në një zhvillim tjetër jo të ndërlidhur me ligjin, SHBA-të dje e sanksionuan/ndaluan importin e gomave të makinave nga fabrika kineze Linglong në Zrenjanin të Serbisë, me motivimin se ajo përdor praktika të punësimit të detyruar (me fjalë të tjera skllevër). Kjo fabrikë eksporton rreth 200 milionë në vit dhe SHBA-të i ka si treg kryesor. Kjo është goditja e dytë e madhe ndaj ekonomisë së Serbisë (në këtë rast kompanisë kineze) pas sanksioneve paralizuese ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS) në pronësi ruse.













