Liga e Kampionëve rikthehet me fazën e eliminimit – vëmendja tek derbi madrilen

Sot (e martë) janë në orar për t’u zhvilluar katër ndeshje në kuadër të fazës së 1/8-tës në Ligën e Kampionëve. 

Pas përfundimit të fazës së ‘play-off-it’ e cila dhuroi emocione të mëdha, tashmë është radha për atë të eliminimit direkt, ku nuk pritet të mungojnë ndeshjet interesante. 

Vëmendja kryesore gjatë mbrëmjes së sotme do të jetë tek derbi lokal mes Real Madridit dhe Atletico Madridit. 

Kjo ndeshje do të nis me fillim nga ora 21:00 dhe do të luhet në ‘Santiago Bernabeu’ aty ku jo shumë kohë më parë këto dy skuadra u përballën në kuadër të La Ligas. 

Real Madrid dhe Atletico Madrid kanë një histori në vete në këtë garë, pasi janë takuar edhe në gjashtë herë të tjera me ‘Los Blancos’ që kanë fituar katër prej tyre, një ka përfunduar me barazim dhe një fitore i ka takuar Atletico Madridit. 

Duel tjetër interesant në të njëjtin orar, pritet të zhvillohet edhe në Londër, atje ku Arsenali do të jetë nikoqir i PSV-së që eliminoi Juventusin në fazën ‘play-off’. 

Mikel Arteta ndonëse me mungesa të theksuara në fazën e sulmit, do të synojë kualifikimin tutje ndaj një ekipi tejet të papërshtatshëm që tregoi se mund të befasojë. 

Dy takimet tjera që do të luhen janë Dortmund-Lille (21:00) dhe Club Brugge-Aston Villa që është planifikuar të nis me fillim nga ora 18:45.