Lidhjet mes Martin Berishajt dhe kompanisë sllovene CETIS – një histori që nis në vitin 2007

Kompania sllovene “Cetis” që prodhon dhe shtyp fletvotimet për zgjedhjet në Kosovës ka “pranuar fajin” për çëshjten e numrave të shthurrur serikë në disa fletëvotime në Mitrovicë, shkruan Demorkacia.com.

Dokumentet zyrtare nga Qendra Kombëtare e Biznesit në Shqipëri zbulojnë një lidhje të hershme mes ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, dhe kompanisë sllovene CETIS D.D., e cila më vonë ka fituar kontrata publike për shtypjen e fletvotimeve zgjedhore në Kosovë. Të fundit, e ka fituar nga KQZ-ja para dy muajve në një vlerë prej 489 mijë eurove me negocim pa publikim te njoftimit për kontratë, duke anashkaluar garën e hapur.

Themelimi i kompanisë “Nacional Sh.A.”

Më 17 janar 2007, në Tiranë, u themelua kompania “Nacional Sh.A.”, me kapital fillestar 2 milionë lekë dhe aktivitet në organizimin e lojërave të fatit, llotarive televizive, dhe pasurive të paluajtshme.
Në dokumentet themeluese, të siguruara nga QKB, figurojnë si themelues:

CETIS D.D. – kompani sllovene e specializuar në shtypin e dokumenteve zyrtare (përfshirë fletvotime, pasaporta dhe karta identiteti),

STIL sh.p.k. (kompani shqiptare),

NIRVANA d.o.o. dhe LUCRUM d.o.o. (të dyja nga Kroacia),

si dhe Martin Berishaj, i cili kishte 10% të aksioneve dhe ishte pjesë e Këshillit Mbikëqyrës të kompanisë.

Në bordin themelues, përkrah Berishajt, figuron edhe Simona Potocnik, përfaqësuese e CETIS, e cila kishte rol drejtues që nga regjistrimi fillestar i shoqërisë.

Dalja e CETIS-it, por jo e Berishajt

Sipas të dhënave të QKB-së, në shkurt të vitit 2009, CETIS D.D. largohet nga pronësia e kompanisë “Nacional”, duke ia transferuar aksionet Shefqet Bucaliu, i cili bëhet aksionari më i madh me 46.6%.
Megjithatë, Martin Berishaj vazhdon të mbetet në kompani si aksionar me 10% dhe anëtar bordi deri në vitin 2013, duke marrë pjesë në vendimmarrjet dhe zmadhimet e kapitalit (DOKUMENT)

.Në këtë periudhë, në strukturën e kompanisë futen edhe dy aksionarë të rinj shqiptarë – Alban Dabulla dhe Perparim Zagani, të cilët blejnë aksionet e kompanive të tjera themeluese.
Kështu, “Nacional Sh.A.” kalon nga një kompani me kapital të përbashkët slloveno-kroat në një strukturë pronësie kryesisht shqiptare, por me origjinë të dokumentuar ndërkombëtare.

Rritja e kapitalit dhe aktivitetet në lojërat e fatit

Në vitin 2017, kapitali i kompanisë rritet nga 2 milionë lekë në 60 milionë lekë, ndërsa pjesëmarrjet rishpërndahen si vijon:

Shefqet Bucaliu – 40%,

Alban Dabulla – 40%,

Martin Berishaj – 10%,

Perparim Zagani – 10%.

Objekti i aktivitetit zgjerohet për të përfshirë lojërat e fatit “Bingo Televizive” dhe veprimtari tregtare të pasurive të paluajtshme. Raportet financiare të dorëzuara në QKB tregojnë për qarkullim shumëvjeçar në miliona euro, ndërsa kompania shfaqet si një prej operatorëve më të mëdhenj në këtë fushë në Shqipëri.

Lidhja e dokumentuar CETIS – Berishaj

Dokumentet e themelimit e bëjnë të qartë se Martin Berishaj dhe CETIS kanë qenë bashkëthemelues të drejtpërdrejtë të “Nacional Sh.A.” në fillim të vitit 2007. CETIS, përfaqësuar nga znj. Simona Potocnik, kishte rol drejtues në bordin e kompanisë. Kjo lidhje është e rëndësishme, sepse CETIS, disa vite më vonë, ka fituar tendera publikë në Kosovë për shtypjen e fletvotimeve zgjedhore, ndërkohë që Martin Berishaj është bërë ambasador dhe zyrtar i lartë shtetëror i Republikës së Kosovës.

Situata aktuale dhe pronësia përfundimtare

Sipas Regjistrit të Pronarit Përfitues, përditësuar më mars 2022, Martin Berishaj dhe Perparim Zagani nuk figurojnë më si pronarë në “Nacional Sh.A.”. (DOKUMENT)
Pronësia aktuale është e përqendruar tek:

  • Shefqet Bucaliu – 40% e aksioneve,
  • Alban Dabulla – 40% e aksioneve (DOKUMENT)

Megjithatë, emri i Berishajt mbetet në dokumentet historike të kompanisë për më shumë se një dekadë, që nga themelimi e deri në rritjen e kapitalit në vitin 2017 – periudhë kur CETIS ka qenë gjithashtu e lidhur me tenderë publikë në Kosovë.

Sipas regjistrimeve më të fundit në QKB, “Nacional Sh.A.” vazhdon të jetë kompani aktive, me seli në Tiranë, por ndaj saj janë vendosur masa sigurie tatimore dhe sekuestro konservative nga Drejtoria e Tatimeve dhe përmbarues privatë, për shkak të detyrimeve të papaguara ndaj shtetit në periudhën 2020–2025. /Demokracia.com/