Lidhja e Bizneseve të Kosovës ankohet për mungesë përfshirjeje në diskutimet për pagën minimale

Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka njoftuar se nuk ka qenë pjesë e takimit të organizuar nga Ministria e Financave, për çështjen e pagës minimale.

“Dialogu me bizneset nuk mund të zëvendësohet me ftesa e takime formale. Bizneset janë kontribuuesit kryesorë të zhvillimit ekonomik dhe duhet të jenë pjesë reale e çdo procesi vendimmarrës që prek ekonominë e vendit”, thuhet në reagim.

LBK thekson se një qeveri në detyrë nuk ka mandat e as legjitimitet të ndërmarrë vendime për çështje madhore, sidomos për ato ku ka dështuar të arrijë rezultate gjatë mandatit të saj.

“Lidhja e Bizneseve të Kosovës mbetet e përkushtuar të jetë zëri i pavarur dhe profesional i sektorit privat, duke kërkuar bashkëpunim të sinqertë institucional, politika të balancuara dhe vendime të bazuara në analiza ekonomike – jo në agjenda të momentit politik”.