Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) ka reaguar lidhur me debatet e fundit për sektorin e prodhimit dhe përpunimit të qumështit, duke kërkuar nga institucionet transparencë dhe kujdes në deklaratat publike që lidhen me bizneset vendore.
Në reagimin e saj, kjo organizatë ka thënë se siguria ushqimore duhet të jetë prioritet, por çështjet që prekin operatorët ekonomikë duhet të trajtohen vetëm mbi bazën e analizave të verifikuara dhe procedurave ligjore.
“Siguria ushqimore është një interes madhor publik dhe duhet të jetë gjithmonë prioritet i institucioneve shtetërore. Megjithatë, çdo çështje e kësaj natyre duhet të trajtohet me përgjegjësi të lartë profesionale, në përputhje me ligjin, standardet shkencore, procedurat institucionale dhe rezultatet zyrtare të verifikuara”, thuhet në reagim.
Lidhja e Bizneseve ka vlerësuar se deklaratat publike për operatorët ekonomikë mund të ndikojnë drejtpërdrejt në besimin e konsumatorëve dhe në reputacionin e kompanive.
“Deklaratat publike që lidhen me operatorët ekonomikë kanë ndikim të drejtpërdrejtë në besimin e konsumatorëve dhe në reputacionin e kompanive. Për këtë arsye, komunikimi institucional duhet të udhëhiqet nga transparenca, objektiviteti dhe përgjegjësia, duke shmangur çdo qasje që mund të krijojë pasiguri apo dëm të padrejtë ndaj bizneseve që operojnë me përgjegjësi në treg”, thotë LBK.
Sipas kësaj organizate, sektori i qumështit përbën një nga shtyllat e rëndësishme të ekonomisë së Kosovës, pasi pas tij qëndrojnë mijëra fermerë, punëtorë dhe kompani vendore.
“Sektori i qumështit është një nga shtyllat e rëndësishme të ekonomisë së Kosovës. Pas këtij sektori qëndrojnë mijëra fermerë, punëtorë, familje dhe kompani që kanë investuar kapital, dije dhe përkushtim për të ndërtuar një industri vendore konkurruese, për të krijuar vende pune dhe për të forcuar sigurinë ushqimore të vendit”.
Lidhja e Bizneseve ka kërkuar që prodhuesit vendorë të mos trajtohen si fajtorë pa përfundime zyrtare dhe prova të bazuara në procedura profesionale.
“Prodhuesit vendorë nuk mund të trajtohen si të fajësuar apo të paragjykuar pa përfundime zyrtare dhe pa prova të bazuara në procedura profesionale. Çdo operator ekonomik gëzon të drejtën për një trajtim të drejtë, të paanshëm dhe në përputhje me parimet themelore të sundimit të ligjit”, tha LBK më tej në reagim.
Kjo organizatë ka kërkuar publikimin transparent të rezultateve të analizave nga institucionet kompetente, si dhe që komunikimi publik për sigurinë ushqimore të bazohet në fakte dhe analiza të certifikuara.
“Ne theksojmë qartë: prodhuesit vendorë nuk janë problem i ekonomisë së Kosovës – ata janë pjesë e zgjidhjes. Ata janë ndër ndërtuesit e fuqisë ekonomike të Republikës sonë dhe meritojnë respekt, mbështetje dhe partneritet institucional”.
Ndër kërkesat e LBK-së janë edhe mbrojtja e reputacionit të prodhuesve vendorë nga deklaratat e pambështetura, mbështetja institucionale për zhvillimin e industrisë vendore dhe një bashkëpunim më i fuqishëm mes institucioneve publike dhe sektorit privat.
“Mjaft më me qasje që dëmtojnë besimin ndaj prodhuesve tanë. Është koha për mbështetje, partneritet dhe fuqizim të prodhimit vendor”, thotë Lidhja e Bizneseve të Kosovës. /Klankosova.tv






