Lideri suprem i Iranit emëron tre pasardhës potencialë në rast se ai vritet

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka emëruar tre klerikë të lartë si kandidatë për ta zëvendësuar në rast se ai vritet, raporton The New York Times, duke cituar tre zyrtarë iranianë të njohur me çështjen.

Sipas “CNN”, në rast se lideri suprem vdes, kushtetuta e Iranit kërkon nga Asambleja e Ekspertëve, një trup prej 88 anëtarësh klerikë, që të zgjedhë një pasardhës.

Ky proces është përdorur vetëm një herë që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979, kur vetë Khamenei u zgjodh në vitin 1989.

Khamenei dëshiron të sigurojë një tranzicion të shpejtë dhe të rregullt në rast të vdekjes së tij, raporton Times, duke cituar zyrtarët.

Pas refuzimit të një plani izraelit për të vrarë Khamenein, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi këtë javë se lideri suprem i Iranit është një “target i lehtë.”

Ne dimë saktësisht se ku po fshihet ai që quhet ‘Lideri Suprem’,” – shkroi Trump në një postim në Truth Social të martën. “Ai është një target i lehtë, por është i sigurt atje – Nuk do ta marrim së paku për tani.”