Ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves, është deklaruar rreth fushatës ‘’ ‘’16 Ditë të Aktivizimit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, duke u shprehur i lumtur për nënshkrimin historik të Deklaratës së Përbashkët mbi Dhunën me Bazë Gjinore dhe Dinjitetin Njerëzor nga pesë udhëheqës fetarë të Kosovës, veprim të cilin ai ka thënë se e mirëpret.
Ambasadori ka deklaruar edhe se aleatët kundër dhunës në bazë gjinore, po ndërtojnë një shoqëri ku mbrohet dinjitet, dhe se fushata e lartpërmendur, ka të bëjë me riafirmimin e një angazhimi global dhe të përbashkët për barazinë dhe drejtësinë, shkruan Gazeta Express.
‘‘Së bashku, aleatët e Kosovës kundër DHBGJ-së po ndërtojnë një shoqëri ku dinjiteti mbrohet, barazia garantohet dhe dhuna nuk ka vend. Kjo fushatë nuk ka të bëjë vetëm me rritjen e ndërgjegjësimit, por ka të bëjë me riafirmimin e një angazhimi global dhe të përbashkët për dinjitetin njerëzor, barazinë dhe drejtësinë’’, ka thënë ai.
Tutje, ai ka deklaruar edhe se, dhuna në bazë gjinore është pengesë për paqen dhe se dhunë e vërtetë është edhe ajo në internet.
‘‘Dhuna e bazuar në gjini është shkelje e të drejtave të njeriut, por është gjithashtu një pengesë për paqen dhe prosperitetin. Ne theksuam se dhuna në internet është dhunë e vërtetë’’, ka deklaruar Hargreaves.











