Tanimë në presidencën e Kosovës kanë arritur liderët e partive politike në vend.
Presidentja Vjosa Osmani po pret në takim të parët e partive politike më të mëdha në vend, për të diskutuar për çështjen e të mandatuarit dhe mos-formimin e qeverisë së re të vendit.
Osmani i thirri në takim liderët partiak, pasi i mandatuari i parë nga ajo, Albin Kurti i partisë fituese Lëvizja Vetëvendosje, dështoi t’i fitonte votat e mjaftueshme në Kuvend të dielën për ta zgjedhur qeverinë e re.
Ajo duhet ta caktojë një mandatar tjetër për formimin e qeverisë brenda 10 ditësh nga dështimi i mandatarit të parë, sipas Kushtetutës.
Megjithatë, nuk është e qartë nëse do të caktohet një mandatar i ri, për shkak të mungesës së vullnetit nga partitë për të arritur ndonjë koalicion qeverisës.
Lideri i partisë së dytë më të votuar (PDK), Memli Krasniqi, të dielën e hodhi poshtë mundësinë që të bëhet mandatar i radhës, në rast se presidentja do ta pyeste nëse e ka shumicën.
Pak ditë pasi nuk e mori mbështetjen e Kuvendit për një mandat të tretë, Kurti – i cili është kryeministër në detyrë – paralajmëroi zgjedhje të reja në dhjetor./Lajmi.net/














 
															






