Kreu i Partisë Socialiste dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është duke drejtuar shtetin shqiptar që nga viti 2013. Rama ka fituar bindshëm edhe zgjedhjet e fundit të mbajtura këtë vit, duke ia mundësuar kështu edhe një mandat katër vjeçar.
Përgjatë kësaj periudhe 12 vjeçare derisa Rama drejton ekzekutivin shqiptar, pjesë e qeverive të tij dhe pozita të larta kanë qenë dhe kanë mbajtur edhe disa kosovarë.
Tre prej tyre, Hajrulla Çeku, Gent Cakaj dhe Besa Shahini, kanë mbajtur pozita në ekzekutivin shqiptar, derisa tashmë s’janë aktiv në politikën e atjeshme.
Hajrulla Çeku ka mbajtur në vitin 2018 pozitën e zëvendësministrit të turizmit dhe mjedisit në Qeverinë Rama. Pas 13 muajsh punë, Çeku kishte vendosur të jepte dorëheqje. I njëjti tashmë është aktiv në politikën kosovare. Pas një mandati si ministër i Kulturës, Çeku tashmë është në garë për kryetar të Prishtinës.
Gent Cakaj gjatë vitit 2018, kishte shërbyer si këshilltar politik i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe më pas kishte marrë edhe pozitën e zëvendësministrit të Punëve të Jashtme. Cakaj ka mbajtur edhe disa pozita të tjera, derisa pas shkarkimit të Ditmir Bushatit, ai ishte emëruar ministër i Punëve të Jashtme në janar të vitit 2019, shkruan Gazeta Express.
Besa Shahini ka mbajtur pozitën e ministres së Arsimit nga dhjetori i vitit 2018 kur e kishte pasuar Lindita Nikollën, dhe kishte qëndruar në këtë post deri në shtatorin e vitit 2020 kur edhe u zëvendësua nga Evis Kushi. Shahinin e kemi parë të aktivizuar në Kosovë, si kandidate për kryetare të Prishtinës në zgjedhjet lokale të tetorit.
Dy kosovarët e tjerë, Vlora Hyseni dhe së fundi edhe Liburn Aliu, kanë marrë besimin e Edi Ramës për të drejtuar dy institucione tejet të rëndësishme.
Vlora Hyseni tashmë drejton Inteligjencën shqiptare. Pas një periudhe punë në Agjencinë Kosovare të Inteligjencës ku ishte emëruar si zëvendësdrejtoreshë në vitin 2019, Hyseni ishte shkarkuar nga Kurti në vitin 2021.
Pas kësaj periudhe, Vlora Hyseni më 3 prill 2022 është dekretuar nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, si drejtoresh e Shërbimit Informativ të Shqipërisë.
I fundit që ka marrë pozitë të rëndësishme në Shqipëri është ish-ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu.
Ai është emëruar si drejtor në Portin e Durrësit dhe është prezantuar sot nga zv.kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë të Shqipërisë, Belinda Balluku
Liburn Aliu kohë më parë ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit në detyrë të Infrastrukturës, pas zgjedhjes së Dimal Bashës në krye të Kuvendit të Kosovës.
“Jam i nderuar nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë për një detyrë që më është dhënë, që më është besuar dhe që është mjaft sfiduese”, ka deklaruar Aliu pas emërimit.
Aliu është një prej figurave më të vjetra në Lëvizjen Vetëvendosje, ndonëse i njëjti s’është as pjesë e Këshillit të Përgjithshëm të partisë që drejton Albin Kurti.










