Liberalizimi i tregut të energjisë, Muharremi: Ky është keqmenaxhim skandaloz i energjisë dhe ekonomisë

Njohësi i çështjeve ekonomike Shenoll Muharremi ka kritikuar ashpër qeverinë në detyrë për keqmenaxhim të liberalizimit të tregut të energjisë për bizneset kryesore të Kosovës.

Ai ka bërë me dije se një ditë para fillimit të zbatimit të këtij vendimi vetëm 30 kompani kanë arritur të nënshkruajnë kontrata.

Në profilin e tij në “Facebook”, Muharremi ka shkruar se ky është keqmenaxhimi skandaloz i energjisë dhe ekonomisë.

“Aq keq është organizu dhe menaxhu liberalizimi i tregut të energjisë për bizneset kryesore të Kosovës saqë prej 1,300 biznese te prekura por thuhet që vetëm 30 kanë arritë me nënshkru kontrata. Vetëm 2.31% nga 100% kanë nënshkru oferta dhe janë gati. E nesër është afati kur zbatohet vendimi. Pra shumica e bizneseve që po përjashtohen nga qasja në energji pa përgatitje të duhura nga institucionet nuk kanë marrë asnjë ofertë nga kompanitë me u furnizu me energji. Ky është keqmenaxhimi skandaloz i energjisë dhe ekonomisë”, ka shkruar Muharremi.