Lexuesit e “Blick” (nuk) vlerësojnë paraqitjet e Shaqirit

Xherdan Shaqiri vazhdon të jetë lojtari kryesor i Baselit, por jo të gjithë në Zvicër janë impresionuar me paraqitjet e tij në vjeshtë.

Gazeta e madhe zvicerane “Blick”, ka bërë një anketë për lojtarin më të mirë të stinorit vjeshtor në Superligën e Zvicrës, për atë që dëshpëroi, për portierin më të mirë, por lojtarin e ardhur më të mirë dhe për trajnerin më të mirë.

Dhe sipas kësaj gazete, Shaqiri është vlerësuar dëshpërimi më i madh. “Blick” ka shkruar se mbi 1700 vota janë pranuar gjithsej.

“Blick” ka shkruar se pritjet nga Shaqiri ishin shumë të mëdha, prandaj edhe dëshpërimi është vlerësuar i madh nga lexuesit.

Në fakt Shaqiri ka gjashtë gola dhe tetë asistime dhe ishte vendimtar në shumë ndeshje.

“Megjithatë ai së fundi u lëndua, humbi tri penallti dhe Baseli vuajti në përgjithësi. Kjo shkoi kundër tij. Ai mori rreth 18 për qind të votave në këtë kategori të palakmueshme”, ka shkruar “Blick”.

Duket pak e besueshme, por Shaqiri është vlerësuar njëkohësisht edhe lojtari i dytë më i mirë i Zvicrës në vjeshtë, pas Matteo di Gusto.