E ardhmja e Robert Lewandowskit është në qendër të merkatos. Pavarësisht se sezoni 2025 i MLS ka përfunduar, klubet amerikane po planifikojnë 2026 dhe Chicago Fire ka shfaqur interes për sulmuesin e Barcelonës. Sipas “BBC Sport”, klubi amerikan ka pasur kontakte me rrethin e polakut, i cili mbushi 37 vjeç në gusht dhe i skadon kontrata me Barçën më 30 qershor, me opsion rinovimi ende të paqartë.
Bisedimet janë vlerësuar pozitive dhe paga nuk shihet si pengesë e pakalueshme. Interesim është përfolur edhe nga Inter Miami, por pa hapa konkretë. Lewandowski po shqyrton disa skenarë: qëndrimin edhe një vit te Barcelona, kalimin në SHBA, ose oferta nga “Saudi Pro League”, por jo largim të menjëhershëm. Sipas “Sky Sport Germany”, ai nuk synon të largohet në merkaton e dimrit.
Te Barça, Hansi Flick e ka vendosur në konkurrencë reale për rolin e “9”, duke ndarë minutat me Ferran Torres. Në sezonin 2024-25 Lewandowski kaloi 3.900 minuta lojë, ndërsa më 2025-26 Ferran e ka tejkaluar në minuta. Megjithatë, Flick e konsideron polakun shumë të besueshëm, siç tregojnë 8 golat në La Liga dhe aktivizimi në ndeshje të rëndësishme. Chicago Fire pret momentin për ta kthyer interesin në ofertë konkrete.
The post Lewandowski projekton të ardhmen, interesi për të shtohet edhe nga një klub i MLS appeared first on Telesport.












