Lewandowski: Më 2012 i thashë “po” Manchester United, por Dortmund s`më la

Robert Lewandowski ka treguar se në vitin 2012 ka qenë shumë afër të transferohej te Manchester United, por marrëveshja kishte dështuar pasi Borussia Dortmund nuk kishte pranuar ta shiste.

Në një intervistë për “BBC Sport”, sulmuesi i Barcelonës ka thënë se kishte pranuar ofertën e klubit anglez dhe ishte i entuziazmuar për të punuar me legjendën Sir Alex Ferguson.

“Vendosa dhe i thashë ‘po’ Manchester United. Doja të shkoja atje, të shihja Alex Ferguson. Por Dortmund nuk më shiti, sepse e dinin që nëse do të qëndroja mund të fitonin më shumë para dhe unë mund të prisja edhe një ose dy vite”, ka thënë Lewandowski.

Edhe pse nuk ia ka arritur të luajë në Premier League, polaku tridhjetë e shtatë vjeçar ka theksuar se nuk ndjen keqardhje, pasi ka pasur një karrierë të madhe duke luajtur për Bayern Munich, Dortmund dhe Barcelonën.

“Jam shumë i lumtur me karrierën time. Nuk kam ndjesinë se kam humbur diçka, sepse çdo vendim e kam marrë me dëshirën time”, është shprehur ai./rtk

The post Lewandowski: Më 2012 i thashë “po” Manchester United, por Dortmund s`më la appeared first on Kosovapost.net.