Lewandowski lartëson Xavin: Edhe falë tij, Barcelona është ajo që është sot

Aktualisht i dëmtuar, por shumë i etur për t’u rikthyer në fushë me fanellën e Barcelonës, Robert Lewandowski ka dhënë një intervistë për BBC-në, ku ka rrëfyer momente të ndryshme nga karriera e tij dhe periudha te blaugranat. Një pjesë të veçantë të bisedës ia ka kushtuar Xavit, ish-trajnerit të tij para Flick dhe njeriut që kërkoi me ngulm transferimin e sulmuesit polak te katalanasit:

“Ka qenë një person shumë i rëndësishëm për mua, kur mbërrita në Barcelonë, në muajt e parë dhe më pas. E kisha sfiduar si lojtar, më pas u bë trajneri im. U përpoqa ta ndihmoja, pashë se kishte diçka të veçantë për t’u bërë trajner i madh. Ajo që bëri për klubin në atë moment të vështirë ishte e jashtëzakonshme. Ndonjëherë njerëzit nuk e kuptojnë këtë, por unë mendoj se Xavi e do shumë klubin. Edhe falë tij, Barça është ajo që është sot”.

Një mesazh i qartë për të mbrojtur trashëgiminë që Xavi la te Barcelona. Kujtojmë se Lewandowski ishte ndër ata lojtarë që ndanë publikisht mesazhe lamtumire për trajnerin 45-vjeçar, kur ai u largua nga pankina blaugrana: “Ka qenë nder të luaja në skuadrën tënde, Xavi! Do të jesh gjithmonë pjesë e historisë së madhe të Barçës. Jam krenar që shkrova një kapitull të jashtëzakonshëm të historisë sime në këtë klub të madh së bashku me ty. Faleminderit dhe suksese, Xavi!”

The post Lewandowski lartëson Xavin: Edhe falë tij, Barcelona është ajo që është sot appeared first on Telesport.