Për të marrë kartonin e sulmuesit të Kosovës, Vedat Muriqi, pati luftë mes dy
gjigantëve turk: Fenerbahce dhe Galatasaray.
Galatasaray pati rënë dakord me klubin e Rezispor, për të marrë shërbimet e tij, por
gjithçka u shemb në ditët e fundit dhe vetë Muriqi deklaroi se do të vijojë të qëndrojë tek skuadra që ka kontratë, duke qenë se nuk ka gjetur marrëveshje me presidentin e Rezispor për t’u larguar me kushtet që e kërkojnë klubet e tjera.
Sot, gazeta e madhe turke “Fanatik” është hapur me lajmin kryesor se Vedat Muriqi
ka firmosur me Fenerbahce, madje e kanë veshur 25-vjeçarin me fanellën verdh e zi, shkruan telesport.al.
Sipas informacioneve të publikuara nga media turke thuhet se presidenti i Fenerbahce, Ali Koç ka hyrë në valle.
Në mesnatën e së shtunës dhe të dielës përfaqësuesit e të dy klubeve, bashkë me agjentin e Muriqit, janë takuar dhe kanë gjetur akord për të mbyllur transferimin.
Shifrat e këtij operacioni nuk janë zbuluar por “Fanatik” shkruan qartë: Muriqi tek Fenerbahce është e mbyllur!