Leverkuseni kontakon ish-trajnerin e Unitedit, për ta zëvendësuar Alonson

Bayer Leverkusen po ecën përpara me planin e tyre për të zëvendësuar Xabi Alonson, i cili pritet të kalojë te Real Madridi në fund të sezonit.

“Los Blancos” synojnë të përshpejtojnë bisedimet me përfaqësuesit e trajnerit baske në javët e ardhshme, me qëllimin për ta lidhur marrëveshjen që ai të rikthehet në Madrid si zëvendësues i Carlo Ancelottit.

Edhe pse ekziston mundësia që Ancelotti të mos marrë postin e trajnerit të Brazilit këtë verë, veterani italian pritet të largohet nga Madridi, me Alonson që pret “dritën jeshile” për t’u rikthyer.

Fushata e Leverkusen-it në Bundesligë përfundon më 17 maj dhe Real Madridi shpreson ta ketë Alonson në krye para se të udhëtojnë në SHBA për Kupën e Botës për Klube të FIFA-s, e cila nis në mesin e qershorit.

Megjithatë, me shumë pjesë të lëvizshme që po shqyrtohen si në Leverkusen, ashtu edhe në Madrid, këta të fundit po qëndrojnë fleksibël, duke marrë parasysh edhe opsione të përkohshme për të udhëhequr ekipin në Amerikën e Veriut këtë verë.

Leverkusen është pragmatik për faktin se Alonso dëshiron të kthehet në Spanjë, dhe CEO i klubit, Fernando Carro, ka konfirmuar ekzistencën e një klauzole në kontratën e tij që i lejon të largohet për një nga ish-klubet e tij.

Kjo do të thotë se gjigantët gjermanë janë tashmë në kërkim të një trajneri të ri, me ish-trajnerin e Barcelonës, Xavi Hernandez, që përflitet të jetë në listën e tyre të opsioneve.

Sidoqoftë, sipas raportimeve nga media gjermane “Kicker”, klubi ka marrë një vendim të guximshëm për të sjellë Erik ten Hag, i cili është pa punë që prej shkarkimit nga Manchester United në tetor.

Ten Hag po kërkon një mënyrë për t’u rikthyer në skenën e madhe të futbollit evropian, dhe CV-ja e tij para United përfshin tre tituj të Eredivisie me Ajax, plus një EFL Cup dhe një FA Cup në Angli.

Ndërkohë, Alonso nuk ka ndërmend të nxitohet për të arritur një marrëveshje me “Los Blancos”, mes zërave se ai dëshiron garanci për disa objektiva të caktuar transferimi përpara se të përfundojë kalimin./GazetaExpress/