Sindikata e Hekurudhave “Trainkos” ka protestuar sot për shkak të pakënaqësive të tyre lidhur me çështjen e pagave.
Protesta nisi në orën 08:00, në stacionin hekurudhor të Fushë Kosovës dhe si rezultat i kësaj është ndaluar qarkullimi i trenit për një orë.
Një protestë e ngjashme ishte mbajtur edhe në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorve.
Sindikata e “Trainkos” më 29 prill 2025 i është drejtuar me një letër Ministrisë së Ekonomisë.
Në këtë letër të cilën e ka siguruar Telegrafi, Sindikata e kishte paralajmëruar ministrinë për masa sindikale, respektivisht protestën që kishte mbajtur pastaj më 1 maj.
“Protesta 15 minutëshe ka për qëllim që t’ua përkujtojmë që për 15 vite nuk janë rritur pagat, e ndërkohë paga jonë është zhvlerësuar në masë të madhe me inflacion dhe ngritje të vazhdueshme të çmimeve të cilat vazhdojnë edhe sot, sa që është bërë e vështirë mbijetesa për punëtorët”, thuhet në letrën e Sindikatës drejtuar Ministrisë së Ekonomisë.
Tutje theksohet se “pas këtyre hapave do të ndërmarrim edhe hapa të tjerë nëse nuk marrim ndonjë përgjgije positive”. /Telegrafi/