Shkruan: Bjondina Kamberi BILALLI
Jam përmbajtur kaq shumë të mos shprehë asnjë mllef sepse fokusi im prioritar duhet doemos të ishte shëndeti i bashkëshortit tim, Ardianit.
Ne posa u martuam. Dy të rinj martohen qe t’ia bëjnë më lehtë njëri-tjetrit, që të kenë mbështetje të pakusht dhe të japin dashuri. Kishim shumë ëndrra bashkë. Ai diplomoi për mjekësi, unë do të vijoja edhe pak studimet për stomatologji, do të ndërtonim një jetë më të mirë bashkë. Unë guxova të ëndërroj kështu. Isha shumë e lumtur. Vërtetë ndjehesha e bekuar qe kisha gjetur një njeri aq zemërmirë, shpirtqetë, e të matur si Ardiani, po edhe si mbarë njerëzit e familjes së tij qe janë po aq të mrekullueshëm e dashamirë të vërtetë. Ndjehesha krenare të jem pjesë e tyre. E fillova me kaq elan martesën me të zgjedhurin e zemrës time.
Dhe pastaj BUM! Jeta të befason mu atëherë kur nuk e pret. Apsolutisht çdo gjë që ke ëndërruar bie përdhe. Në një sekondë, pamëshirshëm. Nuk i vjen keq jetës kur të godet. Nuk don ta dijë që ti je nuse pa e bërë javën në një shtëpi të re dhe ende je plot huti, plot dashuri, plot konfuzitet, as andej, as kendej… Ta njollos fustanin e bardhë me pika gjaku dhe nuk i vjen keq. Të bën të rrish korridoreve të spitalit duke u lutur ditë e natë, pa zë. Sado dramatike të jetë situata, mundohesh të përmbahesh për hir të Zotit, pak për prindërit e Ardianit, për të gjithë nga pak.
Shkaktarit të gjithë kësaj nuk mund t’ia shohë as fytyrën as nuk mund t’ia dëgjojë zërin. Më vjen ta pyes, me çfarë të drejtë ti e thyen çdo ëndërr timen? Si guxon të jesh kaq i papërgjegjshëm, si guxon të vazhdosh asisoj? Ti e mohon edhe dëmtimin që ia ke shkatuar djalit tënd me këtë, nëse veçmë nuk të vjen keq për ne. Mund t’i ikësh drejtësisë, nëse kështu synon, por Zotit? Në Haxh për çfarë u lute e për çfarë kërkove falje? Ti përpak sa nuk e shkatërrove jetën time përgjithnjë. Siç më ndiqte prapa velloja ime e bardhë prej një nuseje të re, ashtu do të të ndjekë ty hija e ndërgjegjes, se diku thellë ti e din shumë mirë të vërtetën.
Uroj që drejtësia të ngadhnjejë për ne dhe për të gjithë njerëzit e dëmtuar në mënyrë të padrejtë!
Faleminderoj Zotin që na e riktheu Ardianin. Kjo është një mrekulli. Madje edhe mjeku shprehej kësisoj. Kjo mrekulli ka bërë që të rilindim dhe pas kësaj ne do të bëhemi më të fortë. Do ta vlerësojmë çdo çast të jetës, do t’i gëzohemi edhe imtësirës më të parëndësishme mjafton që të jemi duke marrë frymë në atë moment.
Faleminderit miqve të vërtetë të cilët e kanë vuajtur me ne këtë dhembje. Ua kthefshim për të mirë.
Faleminderoj të gjithë anëtarët e familjeve tona, nga më i vogli deri te më i vjetri, nga më i largëti deri te më i afërmi, që nuk na kanë lënë vetëm asnjëherë.
Familja mbi të gjitha!
Jeta dhe gëzimi, mirënjohja dhe forca, durimi dhe ballafaqimi janë një bekim ndaj dhe duhet t’i ruajmë e t’i kultivojmë brenda vetes.
Ardiani do të forcohet më shumë dhe do t’i rikthehemi lumturisë sonë.
Qofshi të bekuar!