Lentja optimiste e Kurtit për ‘rritje të punësimit’: Bie numri i të punësuarve në vitin 2024 krahasuar me 2023-ën

Prirjen e vazhdueshme për t’i interpretuar indikatorët ekonomikë nëpërmjet një lenteve optimiste, duke ndërtua narrativa të progresit të paprecedent në punësim, i rritje ekonomike dhe intevestime, deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ish-kryeministër në qeverinë Kurti II, e kishte pothuajse ritual të përmuajshëm.Megjithatë, prapa diskursit politik të Kurtit, të dhënat empirike në raporte nxorrën në vazhdimësi një realitet shumë më të vrazhdë, atë të një tregu pune të fragmentuar, me brishtësi strukturore dhe pabarazisë gjinore.

Sipas të dhënave të fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, gjatë vitit 2024 vendi ka përjetuar një regres në disa prej indikatorëve më kryesor të tregut të punës krahasuar me vitin 2023. Shkalla e përgjithshme e punësimit ka pësuar rënie, ndërkohë që përfshirja e grave dhe të rinjve në treg vazhdon të mbetet në nivele shqetësuese.

Konkretisht, në vitin 2024, numri i përgjithshëm i të punësuarve ra nga 425,499 në 414,493 – një rënie prej rreth 11 mijë vende pune brenda vetëm një viti. Rënia ka qenë më e theksuar tek burrat, me 7,156 të punësuar më pak, ndërsa gratë përjetuan një tkurrje prej 5,456 vende pune.

Ndonëse numrat totalë të punësimit kanë treguar rritje në periudha të caktuara – për shembull, nga 383,304 të punësuar në vitin 2021 në 425,499 në vitin 2023 – këto shifra nuk ofronin një pasqyrë të plotë e të saktë të gjendjes reale sa i përket punësimit/

Në një raport të 2024-ës, Banka Botërore përveç që nuk përmendte shifra të tilla të punësimit, nxjerrte një peizazh krejt tjetër të asaj që pretendonin zyrtarët e qeverisë Kurti.

Në vend të përmendjes së shifrave pompoze për punësim, raporti përmendte një aspekt që shpjegonte arsyen prapa iluzionit të rritjes së punësimit: formalizimin e tregut të punës.

“Formalizimi i tregut të punës vazhdoi në vitin 2023”, thuhej ndër të tjera në raport, duke sugjeruar se edhe në vitet paraprake, kemi të bëjmë me formalizim të punësimit, që nënkupton se më shumë punëtorë në Kosovë po kalojnë nga punët joformale në punësim formal. Formalizimi i tregut të punës vazhdoi në vitin 2023, i pasqyruar në një rritje prej 4.5 për qind të punësimit formal.” – thuhet në raportin e Bankës Botërore.

Ndër të tjera, raportet nga institucione ndërkombëtare vunë theksin të tkurrja e popullsisë në moshë pune në vitet e fundit.“Vetëm 39 për qind e popullsisë në moshë pune ishte aktive në tregun e punës (22 për qind për gratë) gjatë vitit 2022. Popullsia në moshë pune u tkurr në vitin 2022, me gjasë për shkak të migrimit të jashtëm”, nënvizon raporti.

Sipas këtyre raporteve, rritja e mëtejshme e migrimit të jashtëm do të paraqiste rreziqe serioze për vendin. “Një rritje e mëtejshme e migrimit të jashtëm mund të ndikojë negativisht në ofertën dhe koston e punës”.

Vetë Kurti, në intervistat e tij të rralla përgjatë mandatit si kryeministër, s’e mbronte dot pretendimin e tij për “rritje të punësimit”. Në një intervistë në RTK rreth pesë muaj më parë, Kurti, ndonëse pretendonte rritje të punësimit përgjatë katër viteve të fundit, pranote se rënia e papunësisë në Kosovë është rezultat i “formalizimit të tregut të punës” dhe se migrimi mund të ketë pasur gjithashtu ndikim.

Në njërën anë, ish-kreu i qeverisë pranonte se migrimi mund të ketë ndikuar në rënien e papunësisë, duke dhënë kështu një pranim indirekt të realitetit. Në anën tjetër, ai e minimizonte këtë fenomen duke pretenduar se tashmë nuk ka migrim, duke u mbështetur në një supozim se kriza në Bashkimin Evropian e ka ndaluar atë – një deklaratë e pavërtetë në rastin e Kosovës.

“Ka ndikuar formalizimi i vendeve të punës, mund të ketë ndikuar edhe migrimi por ai ka ndikuar më shumë në të kaluarën. Unë besoj që nuk ka migrim edhe për shkak të krizë që po kalon Bashkimi Evropian.” – tha Kurti gjatë një interviste në RTK.