Leksioni “kosovar” për botën: Propagandë me ‘rritje ekonomike’, fryrje e indekseve të perceptimeve e hajgare me pensionistë

Në Nju Jork, në Zolberg Institute të The New School, Albin Kurti mbajti një ligjëratë me titullin pompoz “Mbështetja e Qytetarëve të Thjeshtë në një Krizë Ekonomike Globale: Çfarë Mund të Mësojë Bota nga Kosova”. Por, më shumë se mbi mënyrat e mbështetjes së qytetarëve, audienca dëgjoi atë që për fat të keq është bërë refren i zakonshëm për qytetarët e Kosovës: narrativi i tij për rrjedhën ekonomike të vendit, edhe në këtë paraqitje, u shfaq i mbështjellë me akrobaci statistikore dhe krahasime të paqëndrueshme.

Një sërë pretendimesh të fryra, të shkëputura nga konteksti dhe shpeshherë të çuara deri në kufijtë e qesharakes – le të analizojmë disa prej deklaratave të Kurtit.

“Mesatarja 6% pa rritur taksa”

“Rritja mesatare ekonomike gjatë katër viteve të fundit ka qenë 6%, e cila nuk ka rënë kurrë nën 4% – që dikur ishte shkalla mesatare e rritjes gjatë viteve normale para pandemisë.”

Ritmet vjetore për 2021–2024 afrohen me një mesatare 6%: pas rikthimit post-pandemik në 2021 (rreth 10.7%), rritja u ngadalësua djeshem rreth 4.3% (2022), 4.1% (2023) dhe 4.4% (2024).

Hilja e Kurtit? “Mesatarja 6%” ushqehet dukshëm nga viti shpërthyes 2021 dhe nuk tregon ritmin më modest të tre viteve pasuese.

BPV-ja reale e ngujuar në 4% – Murati në ‘ekstazë me shifra’ që dikur tejkaloheshin lehtësisht
Shtatë nga njëmbëdhjetë vitet e fundit para pandemisë Covid-19 e tejkaluan lehtësisht dhe pa retorikë nga qeveritarët e asaj kohe rritjen që deputeti i VV-së, Hekuran Murati – ish-ministër i Financave në Qeverinë Kurti 2 – e trumepeton si ‘të arritu…

Për më tepër, shtatë nga njëmbëdhjetë vitet e fundit para pandemisë Covid-19 e tejkaluan lehtësisht dhe pa retorikë nga qeveritarët e asaj kohe rritjen që deputeti i VV-së

Pra, Kurti përpiqet të barazojë vitet para pandemisë me një “mesatare prej 6.3 për qind”, të cilën e derivon nga përjestimi i viteve 2021-2023.

Në këtë kalkulim të qëllimshëm, Kurti merr merita për fillimin e vitit 2021, kur BPV-ja kishte shpërthyer në 16.32 për qind gjatë tremujorit të parë – periudhë kur ai porsa kishte marrë pushtetin.

“+31 vende në CPI që nga 2021”

Luftën kundër korrupsionit dhe sundimin e ligjit e kemi bërë prioritetin kryesor të qeverisjes tonë. Rezultatet janë njohur gjerësisht nga vëzhgues ndërkombëtarë të pavarur. Për shembull, që kur morëm detyrën në vitin 2021, Kosova është përmirësuar me një ngritje mbresëlënëse prej 31 vendesh në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International, duke arritur rezultatin e saj më të lartë ndonjëherë në indeks.”

Kosova në CPI 2024 shënoi rezultatin më të lartë ndonjëherë: 44/100 dhe vendi 73. Megjithatë, në 2021 ishte 39/100 dhe vendi 87. Diferenca reale nga 2021 në 2024 është rreth +14 vende, jo +31 siç pretendohet nga Kurti. “+31” mund të dalë vetëm duke i zhvendosur krahasimet (p.sh. ndaj 2020-s), por jo ndaj vitit kur kjo qeveri mori detyrën.

Edhe nëse supozojmë se Kurti po pretendonte krahasim me vitin 2020, Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit mat perceptimin e korrupsionit dhe nuk na ofron një pasqyrë të plotë të sundimit të ligjit.

Për shembull, në një matës serioz të korrupsionit – Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit për vitin 2023 – flitet për “korrupsion serioz qeveritar”:

“Çështjet e rëndësishme të të drejtave të njeriut përfshinin raporte të besueshme për: probleme serioze me pavarësinë e gjyqësorit; kufizime serioze për lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias, duke përfshirë dhunën ose kërcënimet me dhunë ndaj gazetarëve; korrupsion serioz qeveritar…” – thuhet ndër të tjera në këtë raport.

Qeveria me “korrupsion serioz” në raportin e DASh-it: Qysh e sheh ShBA-ja këto tri vjet pushtetin?
Korrupsioni për nga përkufizimi e në kuptimin e gjerë universal është kuptuar si ‘keqpërdorim i pushtetit publik për përfitim privat’, dhe lufta kundër saj është trumbetuar për një jetë të tërë politike te Albin Kurti dhe organizata e tij pol…

“Gallup: të tretët në botë, të parët në Evropë për ligj dhe rend”

“Dhe vetëm këtë javë, Raporti Global i Sigurisë i Gallup e renditi vendin tonë të tretin në botë dhe të parin në Evropë për sa i përket rendit dhe ligjit.”

Gallup Law & Order / Global Safety Report 2024 rendit Kosovën me 94/100, e treta në botë pas Taxhikistanit (97) dhe Singaporit (95), dhe e para në Evropë.

Indeksi mat perceptimin dhe përvojat e raportuara nga qytetarët, jo statistika zyrtare të krimit apo “cilësinë e shtetit të së drejtës”. Përdorimi i tij si “dëshmi” për reforma penale/juridike shkon përtej mandatit të indeksit.

Për më tepër, kjo nuk rezulton në lajm të madh pasi Kosova ka shënuar rezultate tejet të larta ndër vite në këtë raport.

Edhe nëse kthehemi në vitin 2017, Kosova ka shënuar 85 pikë në të njëjtin indeks. Më pas, vlerësimi është rritur gradualisht: prej vitit 2022 e tutje, Kosova ka mbajtur rreth 90 pikë, duke kulmuar me rezultatin 94/100 të raportit të fundit.

VV e jep si “lajm të jashtëzakonshëm” një indeks perceptimi për siguri, ku Kosova performon lart çdo vit
Performanca e Kosovës në raportin e Gallup “Siguria Globale 2025” – ku vendi renditet i pari në Evropë dhe i treti në botë në Indeksin e Ligjit dhe Rendit – u promovua nga Vetëvendosje si një “lajm i jashtëzakonshëm”. Megjithatë, ky vlerësim nuk për…

Pensionet

“Meqenëse pagat paguhen në fund të çdo muaji, vendosëm të ndryshojmë datën e pagesës së pensioneve. Në vend se të ekzekutoheshin në fund të muajit, ato tani shpërndahen në ditën e 15-të të muajit. Kjo siguron që familjet të pranojnë të hyra parash çdo dy javë në vend se një herë në muaj, duke i ndihmuar kështu familjet me buxhetimin dhe fluksin e parave të tyre.”

Pensionet në Kosovë vazhdojnë të jenë mujore; ideja e “parave çdo dy javë” është një konstrukt komunikimi (pagë në fund muaji + pension në mes muaji), që nuk vlen për shumicën e familjeve (jo çdo familje ka pensionist dhe të punësuar).