Leao shkëlqen si “9”, Allegri ka gjetur çelësin. Rafa i ri është gati për të “fluturuar”

Është ende futboll vere, por te Milani muzika duket se ka ndryshuar. Dora e Massimiliano Allegrit po ndjehet dhe tifozët, që i janë përgjigjur me entuziazëm fazës së parë të fushatës së abonimeve, kanë marrë sinjale premtuese, mbi të gjitha nga Rafael Leão.

Portugezi, për herë të parë i qartë dhe konkret përpara portës, është aktivizuar si “9” i vërtetë në miqësoren ndaj Liverpool-it, duke hapur hapësira të mëdha për kundërsulmet e kuqezinjve. Lëvizje tipike të Milanit të ri “allegrist”, që po bazohet te vuajtja në mbrojtje dhe rrezikshmëria në tranzicion si armët kryesore.

Një stil loje që mund të funksionojë shumë mirë ndaj skuadrave që luajnë hapur me topin, por më pak ndaj atyre që do të mbyllen në “San Siro”, gjatë sezonit. Prandaj, Allegri është i vetëdijshëm se duhet të ketë një plan alternativ. Në këtë drejtim, ardhja e mundshme e Ardon Jasharit, përveç një sulmuesi të mirëfilltë, shihet si shumë funksionale për ndërtimin e një Milani të ekuilibruar.

“Futbolli është i thjeshtë”, përsërit shpesh Max Allegri. Dhe shpesh ka të drejtë. Sidomos kur thekson se diferencën e bëjnë individët. Fakti që Leão po integrohet kaq shpejt në projektin e ri teknik, vetëm pas pak javësh stërvitje, është një sinjal shumë pozitiv në Milanello.

Të paktën për momentin, Allegri duket se ka gjetur çelësin e duhur për ish-sulmuesin e Lille, ndoshta edhe falë respektit që Rafa ka për trajnerin nga Livorno, i cili përdor shkopin në stërvitje dhe karrotën në publik.

Edhe në Hong Kong, tekniku i kuqezinjve ka folur për pjekurinë e Leãos: “Ka cilësi të jashtëzakonshme dhe është në moshën e duhur për të bërë një sezon në nivel të lartë”. Të gjitha premisat janë aty për të parë më në fund një Leão në versionin e tij më të plotë, ndoshta dhe befas në rolin e një qendërsulmuesi të vërtetë.

The post Leao shkëlqen si “9”, Allegri ka gjetur çelësin. Rafa i ri është gati për të “fluturuar” appeared first on Telesport.