Le Pen shpallet fajtore për përvetësim të fondeve të BE-së, rrezikon përjashtimin nga gara politike për 5 vjet

Gjykata e Parisit e ka shpallur fajtore Marine Le Pen dhe tetë eurodeputetë për përvetësim të fondeve të BE-së, raporton The Guardian.

Por dënimet e tyre do të raportohen individualisht, thonë mediat franceze, kështu që duhet pritur edhe pak më gjatë për më shumë detaje nga salla e gjyqit.

Marine Le Pen dhe 24 persona të tjerë nga partia e saj e ekstremit të djathtë, përfshirë zyrtarë partie, punonjës, eurodeputetë dhe asistentë, u gjykuan në nëntor të vitit të kaluar për akuzat se kishin marrë para nga Parlamenti Europian si pjesë e një skeme të supozuar me vende pune të rreme. Në vend që paratë të shpenzoheshin për stafin e BE-së, ata u akuzuan se i kanë përdorur për ta paguar stafin e partisë në Francë.

Parlamenti Europian vlerësoi se fondet e përvetësuara arrinin vlerën e rreth 7 milionë eurove.

Le Pen dhe të tjerët i kanë mohuar akuzat.

Prokurorët publikë kanë kërkuar që Le Pen të dënohet me një gjobë prej 300,000 eurosh, një dënim me burgim dhe t’i ndalohet mbajtja ose kandidimi për një post politik për pesë vjet.

Të premten, në një çështje që nuk e përfshinte Le Pen-in, Këshilli Kushtetues i Francës i dha një goditje asaj kur vendosi që politikanët mund të ndalohen menjëherë nga mbajtja e një posti nëse shpallen fajtorë për një krim.

Çdo vendim që nuk e shfajëson Le Pen-in nga fajësia do ta vendosë të ardhmen e saj politike në dyshim të madh, shkroi më herët Guardian.

Nëse shpallet fajtore për përvetësim, ajo me siguri do të apelojë vendimin, çka do të kërkojë një gjykim të ri, dhe çdo dënim me burg ose gjobë do të shtyhej deri në përfundimin e procesit të apelimit.

Nëse i jepet një ndalim pesëvjeçar për të kandiduar për një post publik me efekt të menjëhershëm, do të ishte e pamundur që ajo të merrte pjesë në garën presidenciale të vitit 2027, përveç nëse procesi i apelimit do të përshpejtohej dhe ajo do të shfajësohej në kohë për të kandiduar.