LDK: RTK është shndërruar në vegël të interesit ordiner të pushtetit

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas sulmit të djeshëm të RTK-së ndaj dy mediave në Kosovë, duke e cilësuar se RTK i është dorëzuar tërësisht pushtetit, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Në reagimin e kësaj partie, thotë se mediumi i presupozuar publik është shndërruar në vegël të pushtetit.

Sipas LDK-së, në RTK shtypet e vërteta dhe konstruohet propaganda.

“LDK-ja do të shfrytëzojë mekanizmat parlamentar për të vënë në dritë kapjen dhe për t’i mbajtur përgjegjës kapësit dhe shërbëtorët e propagandës. Për më tepër bashkë me qytetarin e Kosovës do ta mbrojmë fjalën e lirë dhe interesin publik në këtë vend me çdo çmim”, thuhet mes tjerash në reagim.

Reagimi i plotë:

REAGIM PËR MEDIA

Radio Televizioni i Kosovës (RTK) është dorëzuar tërësisht. Mediumi i presupozuar si publik, është shndërruar në vegël të interesit ordiner të pushtetit. RTK jashtë çdo morali e etike godet mediat e Kosovës, iu bën gjygjin publik dhe i dënon me epitetin e tradhëtarit e shërbëtorit të interesave të huaja.

LDK-ja e ka dëshmuar tash e dy vjet – nëpërmjet bojkotit të plotë – se ky medium i thirrur për të përfaqësuar interesin publik dhe promovuar liritë, është shnërruar fatkeqësisht në Bastillen e fjalës së lirë. Në RTK shtypet e vërteta dhe konstruohet propaganda. Reagimet e koordinuara me zyret partiake e pushtetare, ndërsa, të shfaqura qartazi tashmë, dëshmojnë kapjen e thellë të mediumit publik.

Dhe ky është vetëm fillimi sepse kur sulmohen mediat është shenjë se shpifjet, frikësimet do bëhen edhe më të shpeshta e të dukshme edhe ndaj kundërshtarëve të pushtetit. Prandaj reagimi ynë i përbashkët është domosdoshmëri!

LDK-ja do të shfrytëzojë mekanizmat parlamentar për të vënë në dritë kapjen dhe për t’i mbajtur përgjegjës kapësit dhe shërbëtorët e propagandës. Për më tepër bashkë me qytetarin e Kosovës do ta mbrojmë fjalën e lirë dhe interesin publik në këtë vend me çdo çmim!

LDK – Zyra e Informimit