LDK reagon pas koalicionit të papërshtatshëm në Vushtrri: Veprime individuale dhe në kundërshtim me statutet e partisë

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas lajmit për koalicionin e arritur në Vushtrri midis kandidatit të saj, Xhafer Tahiri, dhe kandidatit të Vetëvendosjes, Sylejman Meholli, duke e cilësuar këtë veprim si të papranueshëm dhe pa autorizim partiak.


Sipas komunikatës zyrtare të LDK-së, partia nuk ka autorizuar dhe nuk autorizon asnjë koalicion lokal pa ndjekur procedurat statutare të partisë.

“Veprimet e kandidatit tonë në Vushtrri për të lidhur një koalicion me një parti tjetër janë veprime individuale, të papranueshme dhe në kundërshtim me procedurat statutare të LDK-së”,  thuhet në komunikatë.

LDK-ja ka bërë me dije se do të analizohet fillimisht performanca e kandidatit dhe e Degës së Vushtrrisë, dhe pas këtij procesi do të merren vendimet përkatëse. Çdo veprim tjetër, si ky i sotmi, është sipas partisë pa vlerë dhe në kundërshtim me praktikën demokratike të LDK-së, dhe do të marrë trajtim procedural sipas Statutit pas përfundimit të garës lokale.

Në këtë fazë, LDK-ja thekson se është e fokusuar në garën e balotazhit dhe jo në veprimet e partive të tjera.


Kjo reagim vjen pas lajmit për koalicionin paszgjedhor në Vushtrri, ku kandidati i VV-së, Sylejman Meholli, dhe kandidati i LDK-së, Xhafer Tahiri, kishin arritur një marrëveshje bashkëpunimi. Sipas rezultateve zgjedhore, VV mori 26.28% të votave, ndërsa LDK-ja 21.62%, kurse më së shumti vota i mori Partia Demokratike e Kosovës me kandidatin e saj, Ferit Idrizi, i cili aktualisht është edhe kryetar i komunës. /Demokracia.com/

Lexo edhe:

Ferit Idrizi dridhë partinë e Kurtit | Frikë e madhe e VV-së në Vushtrri, nguten të bëjnë koalicion me LDK-në