LDK: Pranojmë edhe ristrukturimin e qeverisë ku do të merrnin pjesë të gjitha partitë
Sekretari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ismet Beqiri, ka thënë se Qeveria Haradinaj do të rrëzohet nga partia e tij së bashku me ndihmën e Listës Serbe.
Socialdemokratët janë bërë pothuajse një patericë e Qeverisë Haradinaj, të cilët nuk po e lënë të bie me mbështetjen e votave të tyre (12), me argumentin se një Qeveri e Kosovës, nuk mund të rrëzohet me vota të Listes Serbe. Por, diçka të tillë, nuk duket se i pengon LDK’së. Ismet Beqiri ka thënë se LDK’ja është duke përgatitur një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Haradinaj, që nënkupton rrëzimin e saj dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në Kosovës.
Sipas tij rrëzimi i Qeverisë Haradinaj do të bëhet me ndihmën e votave të deputetëve që i takojnë Listës Serbe, këtë ai arsyeton pasi edhe vet kjo Qeveri është formuar me votat e serbëve dhe komuniteteve të tjera.
“Mocionin eventual që do ta paraqitnim ne, kushdo që na bashkëngjitet nuk kemi me shiku i cilës parti është sepse ke bërë një koalicion qeverisës me vota edhe të shqiptarëve edhe të komuniteteve tjera nuk mundesh me thënë se ju tjerët nuk mundeni me vota të tjerëve me rrëzuar këtë qeveri, por nëse ne nuk bën atëherë pse pe mbani ju me vota të tjetër kujt, në këtë rast të komunitetit serb dhe tjerave, prandaj këto hipokrizi nuk mund të kalojnë tek qytetarët”, tha Beqiri për Ekonomia Online.
Po ashtu Beqiri tha se LDK si zgjidhje për Kosovën i ka dy alternativa, e para është të shkohet në zgjedhje të reja, ndërsa alternativë të dytë ristrukturimi i Qeverisë ku do të marrin pjesë të gjitha partitë politike.