LDK për veprimet e Kurtit: Një grup deputetësh i VV-së nga objekti i Qeverisë po përpiqen të blejnë vota

Lidhja Demokratike e Kosovës, e quan akt të paprecedent miratimin e buxhetit nga Qeveria pa mandat.

LDK thotë se ky akt i sotëm, është përpjekje për blerjen e votave para balotazhit.

Lidhja Demokratike e Kosovës e konsideron vendimin e sotëm për miratimin e buxhetit për vitin 2026 nga një qeveri pa mandat dhe pa legjitimitet si një akt të paprecedent politik dhe institucional, një përpjekje të dëshpëruar për blerje votash dhe manipulim të procesit zgjedhor vetëm një javë para balotazhit të zgjedhjeve komunale dhe pak javë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

LDK thotë se ‘një grup deputetësh që po sillen si ekzekutiv’ janë mbledhur në objektin e Qeverisë dhe kanë miratuar një dokument pa asnjë vlerë juridike.

Në objektin e Qeverisë, një grup deputetësh që sillen edhe si ekzekutiv, në kundërshtim me Kushtetutën dhe me aktgjykimet e fundit të Gjykatës Supreme, kanë miratuar një dokument pa vlerë juridike. Kjo sjellje arbitrare, jashtë çdo norme demokratike, përbën uzurpim të kompetencave shtetërore dhe keqpërdorim flagrant të buxhetit publik për interesa të ngushta partiake”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

LDK thotë se ‘asnjë qeveri në detyrë, nuk mund të marrë këso vendime madhore si ky i sotit’.

“Buxheti i ri është dokumenti më i rëndësishëm financiar i shtetit dhe duhet të hartohet dhe miratohet nga një qeveri e re, legjitime dhe e dalë nga vullneti i qytetarëve, jo nga një qeveri në largim që ka humbur mbështetjen popullore, moralin politik dhe autoritetin institucional. Asnjë qeveri në detyrë nuk mund të marrë vendime kaq madhore e afatgjata që prekin rëndë stabilitetin financiar dhe të ardhmen e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e LDK-së.

LDK thotë se tendencat për ta përdorur buxhetin si instrument elektoral, janë të papranueshme.

“Çdo tentim për të përdorur buxhetin e shtetit si instrument elektoral është i papranueshëm. Asnjë euro e buxhetit nuk mund të shndërrohet në mjet për blerje votash, asnjë plan financiar nuk mund të shërbejë si mburojë për dështimet qeveritare dhe asnjë vendim i marrë në këtë fazë nuk mund të ketë legjitimitet demokratik”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Abuzim me pushtetin, e quan LDK veprimin e sotëm të Albin Kurtit nga objekti i Qeverisë.

Këto veprime të Qeverisë në ikje përbëjnë abuzim me pushtetin, shkelje të etikës institucionale dhe instrumentalizim të institucioneve të shtetit për qëllime elektorale, duke cenuar rëndë besimin e qytetarëve në procesin demokratik dhe integritetin e zgjedhjeve.

LDK rikujton se mirëqenia sociale dhe rritja e mbështetjes për qytetarët duhet të jenë rezultat i politikave të qëndrueshme, planifikimit afatgjatë dhe qeverisjes së përgjegjshme e jo spektakël populist i orëve të fundit për të mbuluar dështimet.

I bëjmë thirrje qytetarëve të mos bien pre e këtyre tentativave mashtruese. Kosova meriton institucione të ndershme, qeverisje me përgjegjësi dhe transparencë, jo improvizime të dëshpëruara dhe keqpërdorim të parasë publike”, thuhet në njoftim të LDK-së.

“LDK mbetet e vendosur për të mbrojtur rendin kushtetues, integritetin e institucioneve dhe interesin publik. Ne do të punojmë pa kompromis për rikthimin e besimit qytetar, normalitetit institucional dhe një qeverisjeje dinjitoze e të përgjegjshme në shërbim të Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj” – thuhet në reagim.

Bajrami për veprimet e Kurtit: Prokuroria Speciale ka mundur ta ndalë këtë maskaradë

Më herët, një nga deputetet më të zëshme të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka reaguar ashpër duke thënë se ‘maskarada si kjo e sotmja’ do të duhej të ndaleshin nga Prokuroria Speciale.

Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes që ka uzurpuar zyrat e Qeverisë aprovoi sot buxhetin për vitin 2026. Ka mundësi që buxheti i vitit 2026 të shkojë në 8 miliardë e pagat e pensionet të rriten disa fish në kohën kur pritet vendimi për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Shtetin po e çojnë drejt rrënimit.

Prokuroria Speciale ka mundur ta ndalë këtë maskaradë.

Tash, duhet ta ndalim me votë. E, do ta ndalim me vote”, shkruan Bajrami.