LDK për vendimin e Kushtetueses për Ligjin e KPM-së: VV po mundohet të kontrollojë mediat

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave.

Në një postim në Facebook, LDK bën të ditur se këtë ligj LDK-ja e kishte kontestuar në po këtë Gjykatë.

Sipas këtij subjekti, ky vendim konfirmon shkelje të rënda të parimeve kushtetuese që garantojnë pavarësinë institucionale, lirinë e shprehjes dhe pluralizmin medial në Republikën e Kosovës.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese thekson se disa dispozita të Ligjit të kontestuar janë kryesisht në kundërshtim me nenin 7 të Kushtetutës, që përcakton vlerat dhe parimet kushtetuese si dhe nenin 141 të Kushtetutës, i cili garanton pavarësinë e KPM-së. Në veçanti, ndryshimet që i japin Kuvendit kompetenca për zgjedhjen e Kryetarit të KPM-së dhe rritja e numrit të anëtarëve të saj, pa konsultime të duhura publike, janë vlerësuar si ndërhyrje që cenojnë pavarësinë e këtij institucioni të rëndësishëm për pavarësinë mediale në vend”.

“LDK shpreh shqetësimin e saj për tendencat e përsëritura të Lëvizjes Vetëvendosje për të ushtruar ndikim dhe kontroll politik mbi institucionet e pavarura, si në këtë rast mbi KPM-në, me qëllim forcimin e kontrollit mbi mediat audiovizuale. Këto veprime përbëjnë shkelje të parimeve themelore të demokracisë dhe lirisë së shprehjes, duke rrezikuar funksionimin e asaj që njihet si “shtylla e katërt” e shtetit”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Ndër tjera, LDK shton se do të angazhohet që Legjislatura e re e Kuvendit si dhe Qeveria e re të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të ndërmarrin masa të menjëhershme për të korrigjuar shkeljet e konstatuara.

“Është e domosdoshme që çdo ndryshim ligjor të bëhet përmes një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës, duke përfshirë konsultime me palët e interesuara dhe respektimin e standardeve ndërkombëtare për lirinë e medias”, pohon ky subjekt.

LDK deklaron se do të vazhdojë të angazhohet për mbrojtjen e pavarësisë së institucioneve dhe lirisë së shprehjes, duke kundërshtuar çdo përpjekje për kapjen politike të mediave dhe cenimin e demokracisë në vend.