LDK nis ristrukturimin 100-ditësh: Kryesi e re dhe model i ri organizimi

Lidhja Demokratike e Kosovës mblodhi të shtunën Kuvendin e Punës të partisë, dhe çështja kryesore në të ishte votëbesimi ndaj kryetarit Lumir Abdixhiku.

Pas rreth 7 orësh diskutime e votime, më në fund dolën rezultatet: Abdixhiku i mbijetoi procesit dhe iu dha besimi që të vazhdojë me drejtimin e partisë, ndonëse me shifra jo aq bindëse: 164 me 136.

Pas mbylljes së punimeve, kreu i rikonfirmuar i LDK-së foli për mediat, ku tregoi shkurtimisht se çka është arritur brenda diskutimeve të Kuvendit.

Ndër të tjera, ai tha se janë miratuar dy deklarata: njëra për situatën politike në vend, dhe tjera për situatën në LDK.

Ai dha pak detaje nga këto deklarata, duke theksuar se janë marrë vendime të rëndësishme, siç është riorganizimi i partisë, pastaj se çdo vendimi i marrë në Kryesinë e LDK-së duhet të zbatohet nga deputetët e partisë, sikurse edhe që janë të hapur për të biseduar me partitë tjera për çështjen e Presidentit, për çka tha se do të jetë konsensual.

E LDK-ja, tashmë ka bërë publike edhe Deklaratën Politike të miratuar në Kuvendin e Punës, të cilën mund ta gjeni në vijim, të plotë dhe pa ndërhyrje:

DEKLARATË POLITIKE

E KUVENDIT TË LIDHJES DEMOKRATIKE TË KOSOVËS

Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas shqyrtimit të gjendjes politike dhe organizative të partisë, miraton këtë Deklaratë politike, e cila përcakton orientimet kryesore reformuese, organizative dhe programore të LDK-së.

  1. Riorganizimi i plotë organizativ i LDK-së

1.1. Kuvendi i LDK-së kërkon riorganizim tërësor të strukturës organizative të partisë, në të gjitha nivelet, duke u bazuar në parimet e meritokracisë, angazhimit të dëshmuar politik dhe funksionalitetit të degëve dhe nëndegëve.

1.2. Kuvendi kërkon që brenda afatit prej 100 (njëqind) ditësh të hartohet dhe të finalizohet Platforma Politike dhe Organizative mbi Modelin e Ri të Organizimit të LDK-së.

1.3. Kjo platformë duhet të parashohë ristrukturimin e degëve sipas modeleve funksionale, me nëndegë aktive dhe operative, me përgjegjësi të qarta dhe mekanizma matës të performancës politike dhe organizative.

1.4. Kuvendi autorizon Kryesinë e LDK-së për formimin e Komisionit për plotësim ndryshimin e Statutit të LDK-së.

1.5. Kuvendi riafirmon parimin se asnjë anëtar i LDK-së nuk duhet të mbajë më shumë se një funksion partiak, me përjashtim të funksioneve që burojnë nga zgjedhja ose emërimi në shërbim institucional të Republikës së Kosovës, me qëllim ndarjen e qartë të përgjegjësive dhe shmangien e përqendrimit të pushtetit partiak.

  1. Respektimi i vendimmarrjes kolegjiale dhe disiplinës statutare

2.1. Kuvendi kërkon respektim të plotë, të pakushtëzuar dhe të vazhdueshëm të vendimeve të Kryesisë së LDK-së nga të gjitha strukturat partiake, pasi këto vendime të kenë kaluar procesin e rregullt të debatit, konsultimit dhe vendimmarrjes kolegjiale.

2.2. Kuvendi thekson se demokracia e brendshme nënkupton debat të lirë para vendimit dhe respekt të vendimit të shumicës pas marrjes së tij.

2.3. Çdo formë e individualizmit politik që cenon vendimmarrjen kolektive, unitetin organizativ dhe funksionimin e partisë, do të trajtohet përmes mekanizmave statutare, në përputhje me Statutin e LDK-së dhe parimet e përgjegjësisë politike.

  1. Riorganizimi i organeve qendrore dhe forcimi i degëve

3.1. Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës i kërkon Kryetarit të LDK-së formimin e një Kryesie të re statutare, e cila do të shërbejë si organi kryesor për marrjen e vendimeve politike dhe për drejtimin strategjik të partisë. Kuvendi e autorizon Kryetarin, që në konsultim me Nënkryetarët e LDK-së, të caktojë përbërjen e Kryesisë së re, brenda një afati sa më të shkurtër të mundshëm.

3.2. Kuvendi kërkon forcimin e rolit dhe kompetencave të Kolegjiumit të Degëve, duke e konsoliduar atë si mekanizëm funksional vendimmarrës në çështjet organizative, me qëllim rritjen e përfaqësimit të degëve, sigurimin e kohezionit të brendshëm dhe lidhjen e drejtpërdrejtë funksionale ndërmjet strukturave qendrore dhe bazës partiake.

3.3. Kuvendi kërkon formimin e një trupi të ri koordinues, të quajtur Trupi Qeverisës i Përfaqësimit Lokal, i cili do të përbëhet nga Kryetarët e Komunave të udhëhequra nga LDK-ja, si dhe përfaqësues të koalicioneve qeverisëse lokale, me qëllim harmonizimin e politikave partiake me praktikat qeverisëse në nivel lokal.

3.4. Kuvendi kërkon që Kryesia e LDK-së, Kolegjiumi i Degëve dhe Trupi Qeverisës i Përfaqësimit Lokal të funksionojnë në koordinim të plotë organizativ dhe politik, përmes mekanizmave të rregullt të komunikimit, konsultimit dhe vendimmarrjes, duke garantuar unitet veprimi, qartësi kompetencash dhe efikasitet institucional të partisë në të gjitha nivelet.

3.5. Kuvendi kërkon formimin e një Trupi Këshilldhënës të Lidhjes Demokratike të Kosovës, i përbërë nga figura me përvojë historike në LDK dhe nga personalitete që kanë mbajtur funksione udhëheqëse partiake dhe institucionale. Ky trup do të ketë rol këshillues, pa kompetenca vendimmarrëse, dhe do të shërbejë për ruajtjen e vazhdimësisë politike, kujtesës institucionale dhe orientimit strategjik afatgjatë të partisë.

  1. Programi kombëtar dhe roli institucional i LDK-së

4.1. Kuvendi kërkon që Lidhja Demokratike e Kosovës të hartojë dhe të paraqesë Programin Kombëtar Politik, i cili e pozicionon qartë LDK-në si forcë qeverisëse, faktor stabiliteti institucional dhe bartëse të përgjegjësisë shtetërore.

4.2. Ky program dhe çdo veprim para këtij programi duhet të pasqyrojë rolin historik dhe aktual të LDK-së në ndërtimin e shtetit, forcimin e institucioneve demokratike dhe garantimin e stabilitetit politik dhe institucional të Republikës së Kosovës.

4.3. Në këtë drejtim, Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës i jep mbështetje dhe autorizim të plotë Kryetarit të partisë për të udhëhequr dhe përfaqësuar Lidhjen Demokratike të Kosovës në të gjitha proceset shtetërore dhe politike në fazën e ardhshme institucionale, në përputhje me parimet programore, interesin publik dhe përgjegjësinë shtetërore të LDK-së. Kryetari i LDK-së do të ndërtojë pozicionet politike të partisë në konsultim me organet legjitime partiake, ndërsa vendimet përfundimtare do të zbatohen në tërësi nga të gjitha strukturat e LDK-së.

  1. Dispozitë përmbyllëse

5.1. Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës e konsideron këtë Deklaratë Politike si orientim obligues për veprimin politik dhe organizativ të partisë në periudhën në vijim.

5.2. Votëbesimi i dhënë shënon fillimin e një faze të re reformuese dhe konsoliduese për LDK-në, në shërbim të anëtarësisë, votuesve dhe Republikës së Kosovës.