Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se pas numërimit të të gjitha votave LDK-ja ka dalë partia e parë në zgjedhjet e 17 tetorit me 170 mijë e 177 vota.
Ai ka falënderuar të gjithë votuesit e LDK-së duke thënë se “rikthimi ynë, si parti e parë në zgjedhje lokale, është përmbushje e plotë për secilin nga ne”.
“Pas përfundimit të procesit të numërimit të të gjitha votave, të rregullta, të mërgatës e me kusht, i falënderoj të 170,177 votuesit e LDK-së, që me besimin dhe mbështetjen e tyre, vendosën Lidhjen Demokratike të Kosovës si partinë e parë – me më së shumti vota – në zgjedhjet e 17 tetorit”.
I pari i LDK-së tha se besimin e qytetarëve duhet ta ruajnë me përgjegjësi, derisa tha se puna vazhdon deri në raund të dytë dhe më tutje.
“Rikthimi ynë, si parti e parë në zgjedhje lokale, është përmbushje e plotë për secilin nga ne. Por, mbi të gjitha, është rikujtim se angazhimi ynë i vërtetë dhe i drejtë merr gjithherë mbështetje qytetare. Këtë besim e këtë rikthim duhet ta kujdestarojmë me plot përgjegjësi deri në vlerësimin tjetër. Puna jonë vazhdon. Në raund të dytë edhe më tej. LDK është për të gjithë. Ju faleminderit nga zemra!”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.