LDK me deklaratë për mosvotimin e Rezolutës për Krerët e UÇK-së

Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se mospërfshirja në rezolutë e një pike si kërkesë për zbardhjen e vrasjeve të pasluftës, përfshirë ato politike, e ka bërë “të paplotë” dhe “të mangët” rezolutën për krerët e UÇK-së.

Lidhja Demokratike e Kosovës tha sot se e mbështet fuqishëm parimin e gjykimit të drejtë, të paanshëm dhe në përputhje me standardet më të larta kushtetuese e ndërkombëtare për çdo qytetar të Kosovës.

“Kjo është vlerë themelore e shtetit ligjor dhe e orientimit euro-atlantik të Republikës sonë”, tha LDK në një deklaratë për media.

“Megjithatë, drejtësia nuk mund të trajtohet si koncept i fragmentuar. Ajo ose vlen për të gjithë, ose rrezikon të humbasë legjitimitetin e saj. Për këtë arsye, deputetët e LDK-së kërkuan që Rezoluta të përfshinte qartë dhe pa ekuivoke edhe obligimin institucional për zbardhjen e të gjitha vrasjeve të pazbardhura pas luftës, përfshirë vrasjet politike. Ky është borxh ndaj viktimave, ndaj shoqërisë dhe ndaj vetë shtetit të Kosovës”, tha LDK në komunikatë.

Sipas LDK-së, përballë kësaj, Grupi Parlamentar i LDK-së nuk pranon të legjitimojë një qasje të njëanshme ndaj drejtësisë.

Me 90 vota për, një kundër, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar të enjten Rezolutën për krerët e UÇK-së të propozuar nga Partia Demokratike të Kosovës.

Deputetët e LDK-së nuk morën pjesë në votim, ndërsa deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje e votuan rezolutën, përpos deputetit Fatos Geci të Guxo-s i cili votoi kundër.

Përmes kësaj rezolute, kërkohet angazhimi dhe respektimi i ligjit dhe të drejtës ndërkombëtare nga Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar. /Paparaci.com