LDK kërkon dorëheqjen e Shpend Ahmetit nga njëra pozitë
Grupi i Asamblistëve të LDK-së ka mbajtur një konferencë për media gjatë të cilës kanë adresuar kritika të shumta ndaj kryetarit aktual të kryeqytetit, Shpend Ahmeti.
Shqetësues e kanë cilësuar faktin e angazhimit të Ahmetit në ekipin e dialogut Kosovë-Serbi, duke thënë se angazhimi i dyfishtë në funksione të ndryshme përbën shkelje të ligjit.
Madje për këtë, asamblisti i LDK-së, Agim Gashi, ka kërkuar nga Ministria e Administratës Publike të rekomandojë dorëheqjen nga njëra pozitë kryetarin Shpend Ahmeti.
‘Është obligim kushtetues dhe ligjor i Administratës Publike lokale që sipas detyrës zyrtare të mbikëqyrë këto veprime dhe në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe ligjore të rekomandojë dorëheqjen nga njëra pozitë që ai aktualisht ushtron”, tha ai.
Gashi tha se akuzat ndaj LDK-së në Prishtinë për mosvotimin e propozimit për fillimin e ndryshimit të planit rregullativ të Kodrës së Diellit nuk qëndrojnë, për shkak se sipas tij, janë 5 parti që qeverisin me komunën dhe nuk kanë mungesë të votave për të çuar përpara këtë çështje.
“Nuk është fajtore opozita, sepse koalicioni qeverisës përbehet nga 5 parti në pushtet dhe të përkrahur nga PDK-ja, pas marrëveshjes së papublikuar ka 27 vota dhe ata kanë mundur të organizohen dhe ta votojnë, pra nuk është fajtore opozita. Opozita kërkuar që ndryshimet e planeve rregullative të hollësishme të bëhen në harmoni me ligjin për Planifikimin Hapësinor. Mirëpo, kjo nuk po ndodhë sepse kryetari dhe qeveria e tij, që 6 vite nuk punuan për hartimin e Hartës Zonale si dokument bazik dhe i domosdoshëm ligjor dhe parakusht për të pasur të drejtën për ndryshime të planeve rregullative të hollësishme”, tha ai.
Gashi tha se arsyeja a thirrjes së konferencës është dështimet e Komunës së Prishtinës të vitit 2018, ku ndër to ka theksuar: Rritja e numrit të drejtorive, dorëheqjet e drejtorëve, punësimet sipas grupeve të interesit, ndërtimet pa leje, mosbashkëpunimi me opozitën, rënie e projekteve kapitale, cilësia e dobët në mirëmbajtjen e rrugëve, shkelje në përzgjedhjen e kompanisë për furnizimin e shkollave.
Ahmeti është akuzuar nga LDK-ja edhe për mosraportim në periudha periodike, si një nga obligimet kryesore të një kryetari komune./Telegrafi