Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar ashpër ndaj paralajmërimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për rritjen e çmimit të energjisë elektrike me 15 për qind.
Sipas LDK-së, ky është rasti i tretë brenda mandatit të kësaj qeverie kur çmimi i rrymës rritet, duke dëshmuar, sipas tyre, paaftësi të theksuar në menaxhimin e sektorit energjetik dhe në mbrojtjen e interesit publik.
“Kjo është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve të Kosovës, të cilët tash e katër vite po përballen me inflacion të lartë, ngritje çmimesh dhe stagnim të pagave. Në vend se të ndihmojë qytetarët, Qeveria po ua rëndon edhe më shumë jetesën”, thuhet në reagimin e LDK-së të premten.
LDK akuzon ekzekutivin për përdorimin e ZRRE-së si instrument për t’ua imponuar qytetarëve koston e dështimeve qeverisëse dhe mungesës së vizionit për zhvillim ekonomik.
“Kërkojmë nga ZRRE-ja që të mos bëhet vegël e politikave të gabuara të pushtetit, por të mbrojë konsumatorët dhe të garantojë një treg të drejtë dhe transparent të energjisë”, thekson më tej LDK-ja.
LDK-ja ka paralajmëruar se do të kundërshtojë me të gjitha mjetet demokratike këtë vendim dhe çdo politikë tjetër që rëndon jetën e qytetarëve.
Ndaj shtrenjtimit të rrymës është paralajmëruar protestë më 5 prill nga ora 15:00 në sheshin kryesor të Prishtinës.