Ftesa e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, drejtuar liderëve të partive parlamentare për të diskutuar rreth pandemisë COVID-19, ka marrë refuzimet e para.
LDK-ja vlerëson se Qeveria e shkarkuar nuk mund të organizojë takime të tilla. Avdullah Hoti, anëtar i kryesisë së kësaj partie, ka kërkuar formimin e Qeverisë së re, siç ka thënë, për ta luftuar pandeminë e rimëkëmbur ekonominë, raporton KOHA.
“Vlerësoj se nuk ka nevojë për tryezë politike me një qeveri që i ka ditët e numëruara, e rrjedhimisht, nuk mund të marrë kurrfarë zotimesh dhe që dy herë radhazi e shkel Kushtetutën. Tani, në vend që ai vetë të kërkojë që sa më parë të dorëzojë detyrën, pasi 82 deputetë ia kanë hequr besimin që të qeverisë me vendin, ai bën lloj-lloj maniverzime procedurale për të qëndruar në pushtet. Prandaj, duhet të themelohet sa më parë një Qeveri e re qe nuk e shkel Kushtetutën, që është profesionale, komunikuese me të gjithë, me mentalitet demokratik, që ndërton konsensus shoqëror, që bashkëpunon me bizneset, akademinë, shoqërinë civile dhe në veçanti me miqtë ndërkombëtarë, për të tejkaluar krizën me pandeminë dhe për të rimëkëmbur ekonominë”, ka thënë Hoti.
Thirrjen e Kurtit për t’u takuar të hënën e ka vlerësuar si të vonuar dhe joserioze kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj. Në përgjigjen e tij ndaj kryeministrit në detyrë, Haradinaj ka thënë se me kënaqësi refuzon pjesëmarrjen në takim.
“Të kujtoheni, që pas më shumë se një muaj e gjysmë gjendje emergjente, të thërrisni tryezë debati lidhur me pandeminë, me akterë institucionalë dhe përfaqësues të partive politike parlamentare, është dëshmi e qartë se ju jeni joserioz, anti-institucional dhe mashtrues. Përderisa ftesat tuaja janë të vona në kohë e në raport me zhvillimin dhe nuk janë të kualifikuara me legjitimitet institucional e politik, me kënaqësi ju njoftoj se nuk do të marr pjesë asnjëherë në tryezat e tilla”, ka thënë Haradinaj.
Presidenti Hashim Thaçi është po ashtu në mesin e të ftuarve, por kabineti i tij nuk ka kthyer përgjigje nëse kreu i shtetit do t’i shkojë në takim kryeministrit në detyrë.
Ndërsa, as PDK-ja e NISMA Socialdemokrate nuk janë deklaruar për këtë çështje, pavarësisht interesimit të televizionit.
Një takim i tillë eventual, sipas kryeministrit në detyrë Albin Kurti, do të shërbente për koordinim rreth tejkalimit të virusit COVID-19 me sa më pak pasoja.