Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, gjatë mbledhjes që ka pasur sot ka diskutuar për procesin e zgjedhjeve të brendshme në këtë parti. Duke përmendur rastin e fundit të përleshjes fizike ndërmjet anëtarëve të kësaj partie, në njërën nga nëndegët në Mitrovicë, kryesia ka kërkuar që të mos dëmtohet procesi zgjedhor, dhe që ata që nuk janë në gjendje të respektojnë rregullat të tërhiqen.
Në takimin e sotëm Kryesia e LDK-së ka vlerësuar se procesi ka avancuar dhe se është përfunduar në një pjesë të konsiderueshme të degëve, në një atmosferë të garës dhe të konkurrencës së brendshme, transmeton Telegrafi.
Sipas njoftimit të LDK-së, zgjedhjet po përcillen me një interesim të shtuar për anëtarësime dhe prurjeve të reja nëpër degë.
“Procesi zgjedhor është i rëndësishëm për forcimin dhe rigjenerimin e LDK-së si parti shtetformuese dhe tepër e rëndësishme për të gjitha proceset që ka kaluar dhe po kalon Kosova. Në këtë prizëm, LDK sheh edhe interesimin e medieve dhe të publikut për zgjedhjet në LDK.
Kryesia e LDK-së rikonfirmoi qëndrimin e saj dhe të Këshillit të Përgjithshëm për një proces demokratik dhe të pa imponuar nga asnjë palë dhe nga asnjë individ.
“Gara në LDK zhvillohet si sfidë dhe konfirmim i individëve para anëtarësisë. Tentimet që dikush të vjen në struktura të LDK-së përmes rrugëve të tjera, veçmas dhunës siç ishte rasti në një nëndegë në Degën e LDK-së në Mitrovicë, janë të papranueshme dhe jashtë kulturës dhe sjelljes së LDK-së. Prandaj, ata që nuk janë në gjendje të respektojnë rregullat, duhet të tërhiqen dhe mos ta dëmtojnë procesin, sepse si të tillë do të jenë të papranueshëm”, u tha në takimin e sotëm të Kryesisë.