,

LDK dhe AAK i përgjigjen VV-së: Albin ik, jep dorëheqje!

Ka kaluar afati kohor kur vendi do të mund të shkonte në zgjedhje të parakohshme parlamentare me 30 qershor, përkatësisht 7 korrik 2024. PDK-ja dje në një konferencë për media e shpalli thuajse të mbyllur çështjen për të shkuar në zgjedhje përmes shpërndarjes së Kuvendit, pasi që ka kaluar afati për mbajtjen e zgjedhjeve në datat e sipërpërmendura, shkruan FrontOnline.

Ndërkaq, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, për mos shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, ka thënë me ironizim se dy partitë opozitare LDK e AAK janë të kënaqura me Qeverinë “Kurti”.

Gjini i AAK-së: VV-ja ka plot humoristë

Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, për FrontOnline, ka komentuar deklaratat e zyrtarëve të VV-së se AAK është e kënaqur me punwn e Qeverisë “Kurti”.

Gjini thotë se VV-ja ka përvojë me reagime të tilla.

‘’Nuk kanë mundësi me reagu seriozisht në këto situata dhe kanë përvojë me u marr me humor’’ shprehet ai.

Nënkryetari i AAK-së tutje thotë se VV, ka kërkuar që tw shkohet në zgjedhje, duke u fshehur pas shpërndarjes së Kuvendit.

‘’Kanë lyp me e heq vetën, por me u fsheh prapa Parlamentit’’, thekson Ardian Gjini pwr FrontOnline.

Gjini, për FrontOnline deklaron se nëse kryeministri Albin Kurti do të dëshironte zgjedhje, duhet jep dorëheqje e jo të shpërndahet Kuvendi.

‘’Qeverinë e ka zgjedhë Parlamenti dhe jo Qeveria Parlamentin. Edhe nëse Kurti do me shku në zgjedhje duhet me shkarku veten e jo me shpërnda Parlamentin’’ potencon nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini.

Gaxherri e LDK-së: Shpërndarja e Kuvendit ishte lojë e VV-së, por LDK-ja nuk ra në grackën e tyre

Anëtarja e Kryesisë së LDK-së¸ Besa Gaxherri, thotë për FrontOnline se deklaratat e VV-së se LDK është e kënaqur me Qeverinë Kurti dhe se për këtë nuk e dëshiruan shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, janë deklarata “hajgare pasi që shquhen për to”.

‘’Ata vetëm hajgare dijnë me bërë dhe asgjë serioze dhe deklaratat e tyre janë të panevojshme me i komentu. Gjatë këtyre tri viteve e kemi parë se asnjë proces zotëri Kurti nuk di me përmbyllë, me mirëmbajt, ai di me ironizua dhe me bërë hajgare me procesin. Edhe unë thash me atë ironinë e tij’’, deklaron Gaxherri.

Gaxherri thotë se VV është munduar të bëjë lojë për të shkuar në zgjedhje përmes shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës, por kësaj here LDK-ja nuk ka pranuar të bie pre e kësaj loje të tyre.

‘’Natyrisht që dështimet e Kurtit dhe mbyllja e gjitha dyerve nga ndërkombëtarët, zotri Kurti është munduar me bërë një lojë, qe me çu vendin zgjedhje. LDK nuk ka pranu me ra pre e kësaj loje’’, thotë ajo.

Anëtarja e Kryesisë së LDK-së thotë se kryeministri Albin Kurti, duhet me dal dhe me thënë se po jap dorëheqje dhe po shkojmë në zgjedhje.

‘’Ai duhet me dalë me thënë po shkojmë në zgjedhje se s’po mundemi me i shty proceset. Tash nuk po e dijmë se çfarë qëllimi paska pasur zotëri Kurti, a ka pasur dëshirë me zhvillu Kosovën apo jo, sepse krejt të kundërtën po e bën’’ përfundon Gaxherri për FrontOnline.

Ndryshe dje, zëdhënës i VV-së, Arlind Manxhuka, ka ironizuar dhe tallur me mos shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

Ai ka theksuar se me refuzimin e zgjedhjeve këto dy parti e kanë konfirmuar se janë të kënaqur me Qeverinë Kurti.

“Qysh prej 100 ditëshit të parë të Qeverisë kishin kërkuar e paralajmëruar zgjedhje. Thanë nuk janë të kënaqur me qeverisjen dhe se ishin edhe ata të dëshpëruar me neve. Por siç duket 1000 ditët që pasuan në qeverisje ia ndryshuan mendje opozitës. Ata sot e konfirmuan që janë të kënaqur me Albin Kurtin kryeministër. Puna vazhdon, puna e mbarë Albin Kurti”, ka shkruar Manxhuka në profilin e tij në “Facebook”.

Deputeti i VV-së, Dimal Basha, është treguar edhe më i ashpër me LDK-në dhe AAK-në.

Tallja e tij ka shkuar deri aty sa ka imagjinua një bisedë në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe dy partive opozitare.

“LDK & AAK: Qeveria ma e keqe që kemi pas! Duhet zgjedhje patjetër që me pru një qeveri të re!
Albini: Ani a po doni shkojmë në zgjedhje? LDK & AAK: Ja jo, veç ti nëse ki qef me hjek dorë! Albin: Po unë s’po ankohem për qeverinë time, ju po thoni duhet zgjedhje! LDK & AAK: Kemi ba hajgare, rri se shumë mirë o ka shkon! Albini: Faleminderit, vazhdojmë!”, ka shkruar ai.

Related Posts