Trajner i ri, afrime në merkato dhe dëshira për një cikël të ri, në këtë fazë ndryshimesh. Një nga siguritë e Interit mbetet Lautaro Martinez, gati për sezonin e tetë me fanellën zikaltër dhe për ta udhëhequr sërish skuadrën si kapiten.
Nga kjo mbrëmje, me ndeshjen ndaj Torinos në shtëpi, fillojnë sfidat zyrtare. Do të jetë ai, që do t’i drejtojë shokët e skuadrës drejt objektivave të rinj, duke lënë pas zhgënjimet e fundit të sezonit të kaluar. Humbjet e fundit i kanë dhënë energji dhe motivim për të synuar triumfe të reja.
Sonte, ai do ta udhëheqë sulmin zikaltër në krah të partnerit Thuram, duke synuar të lërë menjëherë shenjën e tij në sezonin e ri. Kundër Torinos, ai ka shënuar më parë 5 gola në 13 ndeshje, edhe pse i fundit në “San Siro” ishte në sezonin 2020-2021.
Në krahasim me verën e vitit të kaluar, argjentinasi ka pasur përgatitore më të qetë tek Interi, pa “Copa America” dhe pa pasur nevojë të privohej nga pushimet. Ka rifituar energjinë, duke kaluar zhgënjimin e Botërorit për Klube dhe motivuar grupin gjatë një periudhe tranzicioni (me ardhjen e trajnerit të ri dhe humbjen në finalen e Champions-it në Mynih).
Golat e tij do të peshojnë sërish nga mbrëmja e sotme. Gjatë miqësoreve verore, Lautaro ka provuar formacionet e reja të Chivu, si dhe është lidhur me lojtarët e rinj të repartit, Pio Esposito dhe Bonny. Për të rinjtë do të ketë një rol veçanërisht udhëheqës, duke iu treguar rrugën dhe urinë për t’u ngjitur në nivele të larta.
Pushimet e verës së vitit të kaluar ishin të shkurtëra dhe kushtëzuan përgatitjet, duke ndikuar në rendimentin e tij. Performanca e Lautaros ka qenë e alternuar, veçanërisht në kampionat, por pjesa e dytë e sezonit e gjeti protagonist, sidomos në Champions me 9 gola në 14 ndeshje.
Këtë sezon, sulmuesi argjentinas synon vazhdimësinë, duke ndjerë përgjegjësinë e kapitenit. Sezoni i tetë i Serie A do të jetë edhe një sfidë golash, pas majës së dy viteve më parë me 24 gola, që i dhanë Interit yllin e dytë. Sezonin e kaluar ka mbetur nën 20 gola, teksa nga mbrëmja e sotme kapiteni interist synon të rikuperojë dhe të vendosë ritmin e tij.
The post Lautaro Martinez, zemra e zikaltërve. Interi rinis me garancitë e kapitenit të tij appeared first on Telesport.