Latifi: Sovrani vendosi për një qeveri të koalicioneve

Analisti Blerim Latifi, ka vlerësuar se përkundër dëshirave të partive, sovrani ka vendosur për një qeveri të koalicioneve, e jo për një qeveri njëpartiake.

Latifi ka përmendur se edhe jetëgjatësia e një qeverie të tillë varet nga marrëveshja për mënyrën e adresimit të problemeve të mëdha ndërkombëtare të vendit.

“Procedurat kushtetuese e qartësojnë procesin politik që e prodhon këtë qeveri. Kushtet themelore janë: koalicioni i numrave në parlament dhe marrëveshja për ndarjen e pushtetit. Por jetëgjatësia e një qeverie të tillë varet edhe nga një tjetër gjë po aq esenciale: marrëveshja për mënyrën e adresimit të problemeve të mëdha ndërkombëtare të vendit, të cilat presin mbi tavolinën e kryeministrit”, ka shkruar Latifi në rrjetin social Facebook.

Latifi poashtu ka bërë me dije se nëse kjo marrëveshje nuk arrihet ose konsiderohet çështje e dorës së dytë, “atëherë çdo qeveri koalicioni është e dënuar të rrëzohet edhe nga era më e vogël e krizave politike. Ashtu siç ka ndodhur disa herë në të shkuarën. Historia përsëritet kryesisht tek ata që nuk marrin mësime prej saj”.