Profesori i filozofisë në Universitetin e Prishtinës, Blerim Latifi është alarmuar për vendimin për rritjet e çmimit të energjisë elektrike, i cili u miratua të premten nga Zyra e Rregullatorit për Energji.
Latifi tha se vendi është në mëshirën e mafias energjetike, e cila do të vazhdojë të rrisë çmimin e rrymës.
“Kriminelë kombëtarë e ndërkombëtarë e lanë Kosovën pa ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë”, tha Latifi.
“Kështu, tash, ne jemi në mëshirën e mafias energjetike, e cila, për t’i rritur fitimet e saj, do të vazhdojë të rris çmimin e energjisë, derisa një ditë në këtë vend njerëzit do të punojnë veç për t’i paguar faturat e energjisë”, tha ai.
Sipas Latifit, këto fatura të fryra do ta shkatërrojnë konsumin jetësor, “duke e zhytur shoqërinë në mjerim të plotë dhe duke e përshpejtuar spastrimin demografik”.
Profesori Latifi u shpreh se situata është e dhimbshme.
“E dhimbshme kur kujton ata mijëra burra e gra që dhanë jetët e tyre lirinë e Kosovës, të cilës sot po ia humbin kuptimin dhe vlerën maskarenjtë që marrin vendime për të”, tha ai.