Komuna e udhëhequr nga Qemajl Aliu i Vetëvendosjes së fundmi ka dhënë një tender për larjen e veturave të saj, ku fituese është shpallur kompania e vetme ofertuese. Pronari i kësaj kompanie, Nehat Ademaj, del të jetë aktivist i Vetëvendosjes në Shtime dhe dyshohet të jetë i afërm i kryesuesit të Kuvendit Komunal. Ademaj gjatë fushatës së vitit 2021 ishte parë krah kryetarit Aliu. Nga komuna nuk kanë kthyer ende ndonjë përgjigje mbi dyshimet për ndonjë konflikt interesi.
Komuna e Shtimes, e udhëhequr nga Qemajl Aliu i Vetëvendosjes, me 30 korrik kishte shpallur njoftim për kontratë për “larjen e veturave për institucionet e komunës”.
Vlera e parashikuar e këtij tenderi kishte qenë 5,268 euro.
Ndërkohë me 20 gusht e ka nënshkruar kontratën për këtë tender.
Vetëm një kompani kishte ofertuar, dhe e njëjta ishte zgjedhur fituese e tenderit.
Kompania fituese është Nehat H. Ademaj B.I, e cila kishte ofertuar me çmim 5,268 euro.

Kush është Nehat H. Ademaj B.I, i cili ka fituar edhe tenderin.
Gazeta Insajderi ka gjetur se personi fitues i këtij tenderi, ka lidhje me partinë në pushtet, në Shtime.
Ai tash e sa vite merret edhe me aktivizëm për Vetëvendosjen në këtë komunë. Ademaj gjatë fushatës në vitin 2021, ishte shfaqur përkrahë kryetarit Qemajl Ademaj.
Jo vetëm, Nehat Ademaj dyshohet se është i afërm i Kryesuesit të Kuvendit Komunal Adnan Ademi.
Adnan Ademi, kishte ndarë pamje nga tubimet partiake, ku shihet edhe Nehat Ademaj.

Madje në vitin 2022 ishte formuar edhe Pika Lagjia Ademaj, me aktivistët e VV’së, ku kryetar i pikës ishte zgjedhur Nehat Ademaj.
Në praninë e aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, u formua Pika Lagjia Ademaj.
Në tubimin zgjedhor të Pikës, u zgjodhën: Kryetar i pikës, z.Nehat Ademaj, pozicionet drejtuese të Pikës dhe ato të deleguara që do ta pëfaqësojnë këtë pikë, në Këshillin e Qendrës si dhe dy organet e reja ai i gruas dhe i rinisë për VETËVENDOSJE!
Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Shtime, iu uron punë të mbarë dhe suksese strukturave të reja!”, thuhej në një postim në profilin e Ademajt.

Ademaj në 2021, i ishte gëzuar fitores së zgjedhjeve në komunën e Shtimes me kryetar Qemajl Aliun.
“Kjo është fitorja e LVV në Shtime”, shkruante ai.

Nehat Ademaj edhe vitin e kaluar, në 2024, e kishte fituar po të njëjtën kontratë nga komuna e Shtimes.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar me komunën e Shtimes, se a ka pas ndonjë konflikt interesi në përzgjedhjen e këtij operatori ekonomik, por deri në publikimin e këtij teksti nuk kanë kthyer përgjigje.